Arbëri

Stano: Nëse s’ka dialog, nuk ka proces anëtarësimi në bllok

Përgjigjja e Stanos është dhënë një ditë pasi kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, është kërcënuar me largim nga procesi. Ai e ka arsyetuar kërcënimin, duke përmendur intervistimin e një drejtori të shkollës në veri nga Policia e Kosovës, gjë e cila, sipas tij, është duke u bërë me qëllim të mbylljes së shkollave që funksionojnë në kuadër të sistemit paralel të Serbisë

Bashkimi Evropian e ka paralajmëruar Serbinë të premten se tërheqja eventuale nga dialogu me Kosovën do të nënkuptojë për të stopim të procesit të anëtarësimit në bllok. 

Në një konferencë për medie të premten, zëdhënësi Peter Stano ka theksuar se procesi i bisedimeve nuk është imponuar nga BE-ja, porse ka qenë kërkesë e palëve.  

“Pra, ne do ta lehtësojmë dialogun për aq kohë sa palët do të jenë atje dhe palët do të jenë në dialog për aq kohë sa janë të interesuara për procesin e tyre të anëtarësimit në BE. Sepse që nga fundi i vitit të kaluar, kur u arrit marrëveshja në Ohër, palët u pajtuan ose palët pranuan se përparimi në dialog është i lidhur me përparimin e tyre në procesin e anëtarësimit. Pra, nëse nuk ka dialog, nuk ka asnjë proces anëtarësimi”, ka thënë zëdhënësi Stano.

Përgjigjja e Stanos është dhënë një ditë pasi kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, është kërcënuar me largim nga procesi. Ai e ka arsyetuar kërcënimin, duke përmendur intervistimin e një drejtori të shkollës në veri nga Policia e Kosovës, gjë e cila, sipas tij, është duke u bërë me qëllim të mbylljes së shkollave që funksionojnë në kuadër të sistemit paralel të Serbisë.

“Kjo do të thotë fund i gjithçkaje, nuk ka më dialog, sepse shkollat dhe shëndetësia, së bashku me kishat dhe shtetin e Serbisë, janë shtyllat themelore të mbijetesës së popullit serb në Kosovë”, ka deklaruar Petkoviqi të enjten.

Ai ka thënë se për këtë rast e ka njoftuar të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe shtetet e tjera anëtare, duke shtuar se ndërkombëtarët po i dënojnë “lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, por nuk po marrin masa konkrete”.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë dhënë një qëndrim pas këtij kërcënimi. E në BE e kanë përsëritur qëndrimin se çështja e institucioneve serbe në Kosovë duhet të adresohet në dialog. 

“Statusi dhe tranzicioni i disa shërbimeve themelore publike dhe sociale të mbështetura nga Serbia, veçanërisht kujdesi shëndetësor dhe sistemi shkollor dhe arsimi, duhet të adresohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, paralelisht me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim ligjor për autoritetet në Kosovë”, ka thënë Stano.

Por eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, vlerëson se trajtimi i institucioneve arsimore duhet të dallojë nga strukturat paralele në veri. Sipas tij, një gjë e tillë duhet të trajtohet vetëm nëpërmjet dialogut. 

“Integrimi i institucioneve arsimore në sistemin arsimor të Kosovës duhet të jetë përpjekje e vazhdueshme e jona, qëllim i vazhdueshëm yni, por për ndonjë arsye tjetër pos që të sigurohet siguri dhe mësim sa më cilësor për fëmijët e të gjitha komuniteteve e në këtë rast, komunitetit serb. Kjo duhet të bëhet me dialog, kjo duhet të bëhet me masa afirmative”, ka thënë ai.

Rexhaj thotë se për shkak të përvojës në vitet ‘90, Kosova është më e ndjeshme ndaj çështjes së arsimit sesa ndaj sektorëve të tjerë. 

“Shkollimi nuk është kurrë ilegal, shkollimi është shkollim dhe është gjëja më e afërt me organizimin komunitar, me njerëzit me popullin, me zhvillimin dhe të tjera dhe atëherë kurrë nuk duhet ngatërruar me organizimin qoftë ilegal, qoftë joilegal të shtetit, pushtetit, strukturave dhe të tjerave”, ka thënë ai. “Konsideroj që çfarëdo diskutimi në lidhje me institucione arsimore dhe veprime ndaj tyre mund të vijë vetëm prej dikujt që nuk ia do të mirën Kosovës”.

Që prej paslufte, sistemi shëndetësor dhe ai arsimor në vendbanime me shumicë serbe nuk është integruar në kuadër të sistemit të Kosovës. Autoritetet në Kosovë, tash e disa muaj janë duke mbyllur institucionet paralele që kanë funksionuar në Kosovë. Dryni deri më tani u është vënë disa zyrave komunale, bankave e filialeve postare.