Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se sugjerimi i kryeministrit Albin Kurti për përfshirjen e Komisionit të Venecias në çështjen e drafstatutit evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk është e paraparë me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 20215. Sipas tyre, Kosovës i janë bërë të qartë hapat që duhet t’i ndërmarrë, e të cilat e përfshijnë dërgimin e këtij drafti për interpretim në Gjykatën Kushtetuese
Përfshirja e Komisionit të Venecias nuk parashihet në marrëveshjet në të cilat Kosova dha zotime për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thanë të premten zyrtarë të Bashkimit Evropian.
Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti sugjeroi se BE-ja duhet ta dërgojë draftstatutin e saj për Asociacionin në Komisionin e Venecias, e jo që këtë t’ia kërkojë Kosovës.
Por zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për KOHËN, tha se Kosovës i janë bërë të qartë hapat që duhet t’i ndërmarrë rreth Asociacionit.
“Përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. BE-ja dhe QUINT-i e kanë bërë shumë të qartë qëndrimin dhe pritjet e tyre për hapat e ardhshëm që Kosova duhet t’i ndërmarrë në procesin e zbatimit të dy Marrëveshjeve të Brukselit (2013 dhe 2015) në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, përkatësisht referimin e draftstatutit enë Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe për Gjykatën Kushtetuese që ta shpallë kërkesën të pranueshme”.
Stano shtoi se drafti është shkruar nga ekipi i përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, pasi palët nuk ishin të gatshme ta bëjnë këtë. Sipas tij, Kosova mund të kërkojë këshilla juridike nga Komisioni i Venecias.
“Draftstatuti Evropian u shkrua nga ekipi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme (EUSR) së bashku me ekspertë të njohur ligjorë ndërkombëtarë, si dhe ekspertë nga Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA-ja, pasi palët nuk ishin në gjendje të angazhoheshin vetë në një proces hartimi. Pas prezantimit të draftit evropian kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në tetor 2023, Kosova duhet të ndërmarrë hapat e ardhshëm në përputhje me Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, siç u theksua më lart. I takon Kosovës si palë në Komisionin e Venecias që të kërkojë këshilla juridike për projektligjet ose legjislacionin tashmë në fuqi, duke përfshirë edhe Projekt Statutin Evropian. Ne presim që për këtë Kosova të veprojë me shpejtësi dhe të ndalojë vonesat e mëtejme në zbatimin e detyrimeve të saj”.
Ideja që Kurti ua dha diplomatëve të BE-së për dërgimin e draftstatutit në Komisionin e Venecias nuk është trajtuar mes udhëheqësve të shtetit.
“Nuk kam pa ide të tillë të prezantuar formalisht. Kurdo që prezantohet te institucioni i presidentes si kreu i shtetit dhe si udhëheqëse e politikës së jashtme e shqyrtoj dhe pastaj ju njoftoj…… Idetë që prezantohen në media nuk mund t’i shoh si formalisht të prezantuara”.
Tek iu referua Kushtetutës, presidentja Osmani tha se objektivat e politikës së jashtme caktohen nga shefi i shtetit.
“Sipas Kushtetutës dhe komentarit të kushtetutës përcaktimi i objektivave të jashtme bëhet nga kreu i shtetit si udhëheqëse e politikës së jashtme. Pra kurdo që prezantohet një ide e tillë do ta shqyrtoj, por mendoj se është me rëndësi që çdo propozim e ide të analizohet vetëm në kontekst të interesave të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Nëse e vlerësojmë se kjo e ndihmon Republikën e Kosovës, natyrisht se nuk ka asnjë arsye që mos të përkrahet, por duhet të prisni edhe pak deri sa ta diskutojmë në mënyrë formale këtë propozim”.
Mungesë koordinimi mes liderëve të shtetit pati muajin e kaluar, kur ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nuk u konsultua paraprakisht me presidenten për dërgimin e një letre Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
LEXO EDHE: