Zëvendësministrja e Kulturës, njëherit kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Daulina Osmani, ka deklaruar se stadiumi kombëtar do të ndërtohet, i kategorisë nga 25.000 deri në 30.000 ulëse.
Ajo ka deklaruar të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” se ekziston një projekt i hartuar nga 2018-a, por shtoi se aty janë bërë shpenzime të fondeve publike për shpronësim.
“Stadiumi kombëtar do të bëhet. I kategorisë të ulseve 25.000 dhe 30.000. Kemi një projekt në Ministri që është hartuar në vitin 2018 me studim të fizibilitetit ku ai studim i fizibilitetit e orienton investimin në Drenas. Aso kohe janë bërë shpenzime të fondeve publike për shpronësim të asaj hapësire. Kemi përcjell kërkesa nga komuna e Prishtinës për tri lokacione potenciale ku mund të ndërtohen këto stadiume”, ka deklaruar Osmani.
Ajo u shpreh tutje se ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë duhet ta përcaktojnë lokacionin se ku duhet të ndërtohet stadiumi kombëtar.
Guri ka deklaruar se nën qeverisjen e LDK-së do të ndërtohen 5 stadiume rajonale.
“Qendra kombëtare e sportit do të jetë në Bërnicë. Aty do të jetë stadiumi kombëtar i Kosovës. Aty do të shkojë edhe Fakulteti i Edukatës Fizike së bashku me federatat sportive. Ky projekt në tërësi do të kushtojë 120 milionë euro”, ka deklaruar Guri.
Ai tutje ka theksuar se pallati kombëtar i sporteve do të kushtojë 20 milionë euro, e stadiumi kombëtar i Kosovës për 60 milionë.
Osmani ka folur edhe për projektin e stadiumit të Gjilanit.
“Do të ndërtohet Stadiumi i Gjilanit, por kemi thënë për një vit se s’na e ka marrë mendja që kur hymë aty s’ka projekt hiç. S’ka pas projekt hiç Stadiumi i Gjilanit në Komunën e Gjilanit. Janë investime 2 milionë euro pa projekt”, ka shtuar ajo.
Agnesa Hajredini nga koalicioni AAK-Nisma ka deklaruar se planifikojnë përkrahje për sportistë.
“Duke pasur parasysh sukseset ndërkombëtare, sportistët meritojnë përkrahje. Kemi menduar ndërtimin e stadiumin olimpik dhe renovimin e tyre, ka shumë të parenovuara”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa, Senad Ramaj nga Partia Liberale Egjiptiane, ka thënë se synojnë të financojnë klube sportive që janë aktuale e aktive në Kosovë dhe riaktivizimin e atyre që s’janë aktivë.
