Raportet mes Kosovës e Serbisë dhe dialogu mes dy vendeve do të jetë në agjendë të diskutimeve në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, që do të mbahet të hënën në Luksemburg. Sipas burimeve në BE, në takim nuk pritet të trajtohet edhe heqja e masave ndëshkuese që iu vendosën Kosovës më 2023
Situata në vendet e Ballkanit Perëndimor e në veçanti zhvillimet e brendshme në Bosnjë-Hercegovinë, protestat në Serbi dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jenë temë e diskutimeve të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) që do të takohen të hënën në Luksemburg.
Një ditë më herët, të dielën, në Luksemburg do të zhvillohet një darkë pune, ku do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm të BE-së dhe ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Pritet që në këtë takim të marrë pjesë edhe Donika Gërvalla, ministre e Jashtme e Republikës së Kosovës, ndërsa nga BE-ja takimin pritet ta udhëheqë Kaja Kallas, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, e cila para disa ditësh ishte për vizitë të parë në rajonin e Ballkanit, por vizitoi vetëm Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën e jo edhe tri vendet e tjera.
Sipas burimeve në BE, pritet që diskutimi të fokusohet sidomos në zhvillimet e brendshme në Bosnjë-Hercegovinë, ku ka pasur tensione pas dënimit të liderit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik. Po ashtu pritet të diskutohet edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ka ngecur dhe nuk dihet se si do të zhvillohet pas emërimit të të dërguarit të posaçëm, Sorensen, si pasardhës i Miroslav Lajçakut për të lehtësuar këtë dialog.
Kaja Kallas disa herë ka thënë se është e vetëdijshme se ka kritika për ecurinë e deritashme të dialogut dhe tash duhet parë se si të ecet tutje.
Sipas burimeve në BE, nuk pritet ndonjë vendim për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur para gati dy vjetësh.
Edhe pse ka një shumicë të madhe të shteteve anëtare të BE-së që duan që masat të hiqen në tërësi dhe menjëherë, si dhe i shohin këto masa si të pakuptimta, akoma, sipas burimeve diplomatike, nuk ka konsensus mes vendeve anëtare por as gatishmëri nga Komisioni Evropian që këto masa të hiqen.
Përmenden Franca dhe Italia si vendet të cilat akoma hezitojnë për të mbështetur heqjen e masave, ndërsa Komisioni Evropian, i cili edhe i kishte vendosur masat nuk dëshiron që ato të hiqen pa pasur një konsensus të vendeve anëtare.
Gjithsesi BE-ja dëshiron që edhe përmes këtyre diskutimeve në nivel të ministrave të dërgojë mesazhin se akoma është shumë i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe se nuk do ta heqë fokusin nga ky rajon edhe pse është i angazhuar edhe në pjesë të tjera të botës.