Arbëri

Spitali i Mitrovicës mbyll Infektiven, të tillë nuk ka as në Ferizaj e Vushtrri

Pacientët me sëmundje infektive, Spitali i Mitrovicës do t’i shtrojë në reparte të tjera, meqë atë të Infektives e ka mbyllur. Vendimi është arsyetuar edhe me mungesë stafi. Pa repart të infektives janë edhe Spitali i Ferizajt dhe ai i Vushtrrisë, kurse me nga një infektolog repartet funksionojnë në Gjakovë e Pejë. Mbylljen e reparteve, infektologët e vlerësojnë vendim të gabuar, pasi thonë se rëndësia e tyre shihet në rast të shpërthimit të pandemive, sikur në rastin e COVID-19

Nga fillimi i këtij muaji i është vënë dryni repartit të Infektives që ka funksionuar në kuadër të Spitalit të Mitrovicës.

Menaxhmenti i Spitalit e arsyetoi mbylljen, duke u thirrur në mungesë stafi e në numrin jo të madh të pacientëve.

“Reparti i Infektives e ka pasur një mjek specialist-infektolog dhe i ka pasur 6 infermiere. Arsyeja dhe kërkesa për t’u mbyllur ky repart është bërë për shkak se ka pasur shumë pak pacientë që janë hospitalizuar, sidomos gjatë viteve të fundit, por edhe paraprakë. Andaj, për shkak të kuadrit deficitar të stafit të mesëm që kanë qenë 6 infermiere, meqë kanë pasur nevojë repartet e tjera shumë për staf të mesëm, Reparti i Infektives ka mbetur të ofrojë shërbime ambulantore. Pacientët e shtrirë nëse janë me ndonjë sëmundje infektive kanë me u trajtuar në Repartin e Internos dhe atë të Pulmologjisë”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Mitrovicës.

Spitali ka paraparë që pacientët e sëmurë rëndë që do të duhej të trajtoheshin në Repartin e Infektives do të vendosen në dhomë të veçantë në Repartin e Internos ose të Pulmologjisë.

“Pacientët e shtrirë nëse janë me ndonjë sëmundje infektive kanë me u trajtuar në Repartin e Internos dhe të Pulmologjisë. Ka me qenë një dhomë e posaçme që nëse janë raste infektive të rënda që nuk bën p.sh. me kanë në një dhomë me pacientë të tjerë, ka me qenë një dhomë e ndarë me pacientë”, thuhet tutje në përgjigje.

Kërkesa e Spitalit për mbyllje të repartit është aprovuar nga Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) me arsyetimin për shfrytëzim racional të kapaciteteve njerëzore. 

"Bazuar në kërkesën dhe arsyeshmërinë për shkrirjen e Repartit të Sëmundjeve Ngjitëse dhe funksionimin e tij vetëm si Shërbim Ambulantor, të u.d. të drejtorit të spitalit të përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri”-Mitrovicë, Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka shqyrtuar dhe miratuar kërkesën e lartcekur në përputhje me misionin e tij për shërbime shëndetësore kostefektive”, ka thënë Fahredin Majkovci, sekretar i Bordit drejtues të SHSKUK-së.

Gjatë pandemisë COVID-19 kanë qenë të pamjaftueshme repartet dhe klinikat për ta përballuar numrin e pacientëve. Shkaku i kësaj, janë ngritur spitale të përkohshme.

Tek ka përmendur mundësinë e shpërthimit të sëmundjeve infektive, infektologu Shemsedin Dreshaj, i cili është edhe deputet, ka thënë se vendimi për ta mbyllur Repartin e infektives në Mitrovicë është i gabuar.

“Ne si shoqëri duhet të mendojmë atë se repartet e infektives të kenë shtretër, të kenë ekspertë për shkak se kurrë nuk i dihet kohës kur na duhet edhe kur shpërthen një pandemi ose një epidemi, apo ndoshta ndonjë endemi... Mos me pasë qenë i arsyeshëm ai repart, nuk do të ishte shfrytëzuar qe 70 vjet në Mitrovicë”, ka deklaruar Dreshaj.

Pos Spitalit të Mitrovicës, pa repart të Infektives janë edhe ai i Vushtrrisë dhe i Ferizajt.

Në atë të Vushtrrisë kanë bërë të ditur se reparti nuk ka qenë funksional që nga fillimi i punës së spitalit dhe nuk ka as infektolog të punësuar. Për pasojë, deri tash pacientët janë referuar në Mitrovicë dhe në QKUK, në Prishtinë.

E në Spitalin e Ferizajt kanë thënë se ndonëse kanë të punësuar një infektolog, reparti nuk është funksional.

Probleme me numrin e vogël të stafit ka edhe Spitali i Gjakovës dhe ai i Pejës, që funksionojnë me nga një specialist të infektologjisë.

Në Spitalin e Pejës kanë deklaruar se me vetëm një mjek specialist u ka mbetur edhe reparti i Oftalmologjisë.

“Ne kemi dy reparte që kanë mbetur me vetëm nga 1 mjek specialist. Është Reparti i Infektives dhe ai i Oftalmologjisë që kanë vetëm nga 1 mjeke specialiste. Konkurset janë hapur vazhdimisht për këto profile të mjekëve dhe për disa profile ku kemi mungesa, por siç duket nuk ka mjekë specialistë që mund të aplikojnë”, thuhet në një përgjigje të këtij spitali.

Ndryshe nga këto institucione të kujdesit sekondar, nga pesë intektologë të punësuar ka në Spitalin e Prizrenit dhe në atë të Gjilanit.