Për pak ditë numri i rasteve pozitive me COVID-19, brenda një 24-orëshit ka arritur në 763. Gjatë kësaj periudhe 1 person ka humbur betejën me virusin.
Kosova ditët e fundit ka shënuar rritje të rasteve me koronavirus, teksa Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka paralajmëruar shtim të rasteve edhe në ditët në vazhdim.
“Fatkeqësisht është raportuar një rast i vdekjeve nga kjo sëmundje. Në vende të ndryshme të botës po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
E pikërisht rritja e numrit të rasteve me COVID-19, ditëve të fundit ka mbledhur drejtorët e spitaleve rajonale, për të diskutuar për situatën e krijuar.
Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, e ka konsideruar takim të zakonshëm dhe tha se aktualisht situata është e qetë dhe numri i të shtrirëve në spitale dhe në klinikat e QKUK-së është rreth 40.
“Me tendencën e rritjes së rasteve epidemiologjike ne si SHSKUK duhet të jemi të përgatitur siç kemi qenë gjithmonë për të përballuar ndonjë fluks më të madh të pacientëve”, pohoi Krasniqi.
Krasniqi ka treguar se gjatë ditës dot’ i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë, me kërkesën për shtim të numrit të infermierëve, sepse, sipas tij, është shqetësuese mungesa e tyre.
“Ka mungesa në disa lëmi, siç janë anesteziologët, infektologët, pulmologët, mjekët specialistikë, të emergjencës, pra kemi mungesa në nivel të QKUK-së. Fatkeqësisht, nuk kemi të dhëna që mjekët kanë kryer specializime në këto drejtime. Ndërkohë që mungesat më të mëdha i kemi tek infermierët”, tha ai.
Për problemet me stafin shëndetësor ka folur edhe drejtori i spitalit të përgjithshëm të Pejës, spital në të cilin është numri më i madh i të hospitalizuarve me COVID-19.
“Problematike e kemi numrin e profesionistëve për shkak se momentalisht i kemi dy pas 1 muaji del në pension njëri, mbesim vetëm me infektologë... Kemi infermierë, por kemi nevojë për hala më tepër infermierë, por tash do të shohim përmes MSh-së kemi gjasa që me na lejua sikur vitin e kaluar staf mbështetës... Në krahasim me vitin e kaluar janë simptoma më të lehta dhe pavarësisht asaj 8 rastet që i kemi na gati të tetat janë pas dozës së dytë, nuk kemi pasur asnjë tek personat që nuk kanë qenë të vaksinuar”, deklaroi Fazli Shala – Drejtor i Spitalit të Pejës.
Kosova u përballë me mbingarkesë në spitale e shifra rekorde të të vdekurve e të nfektuarve me COVID-19 në shtatorin e vitit të kaluar, si shkak i lirimit të masave e mosrespektimit të tyre.