Arbëri

Spiropali: Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë

Elisa Spiropali

Foto: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se në Kosovë ndihet si në shtëpinë e saj dhe ka thënë se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. 

Spiropali në fillim të konferencës së përbashkët për media në Prishtinë me kryekuvendarin e Kosovës, Glauk Konjufca, ka kujtuar sulmin terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA. Ajo ka thënë se SHBA-ja e Kosova ishin rreshtuar krah aleatëve strategjikë në luftën kundër terrorizmit. 

Spiropali ka thënë se ka biseduar me Konjufcën për një mbledhje të radhës të kuvendeve të dy shteteve. 

“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Për Shqipërinë e Kosovën bashkëpunimi është prioritet i pandashëm, është binom stabilizues e orientues për të nesërmen tonë dhe të gjithë rajonit. Ne kemi biseduar që si kryetarë të parlamenteve t’u sugjerojmë qeverive konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës, duke e bërë atë model inkurajues për bashkëpunim rajonal ndërshqiptar e më gjerë”, ka thënë Spiropali.

Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ka thënë se duhet medoemos të ketë si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellë. 

“Dialogu Kosovë – Serbi në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik SHBA-në e BE-në, duhet të ketë medoemos si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjërisht që mundëson njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB e BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve konform kushtetutës...Është proces i gjatë por herët a vonë në fund të tunelit do të ketë medoemos një dritë, që do të dëshmojë realitetin e pakthyeshëm gjeopolitik – republikën më të re evropiane të Kosovës”, ka thënë Spiropali. 

Ajo ka thënë se në Tiranë është bindja e palëkundur se Kosova do ta përmbyllë këtë proces me vizion euroatlantik, si partner serioz e i fortë për partnerët strategjikë. 

“Ashtu siç është, siç është dëshmuar dhe siç d të jetë gjithmonë”, tha Spiropali. 

Ajo e ka dënuar sulmin terrorist në Banjskë, e po ashtu sulmet në veri ndaj KFOR-it e gazetarëve. 

“Autorët, organizatorët e nxitësit e akteve duhet të mbajnë përgjegjësi e të dalin para drejtësisë. Nuk mund të kesh të ardhme të qëndrueshme pa qortuar të shkuarën, nuk mund të kesh kapitull të ri të marrëdhënieve në rajon pa mbyllur ndershmërisht, moralisht, ligjërisht e politikisht kapitujt e dhimbshëm e tragjik të së shkuarës”, tha Spiropali. 

Ajo ka thënë se deputetët e Shqipërisë do të jenë gjithmonë në mbështetje të Kosovës. 


Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam rreth zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti. 
Në këtë takim Kurti thuhet se shprehur mirënjohje të thellë për “mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria ka ofruar në forume dhe proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, e veçanërisht në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Në takim thuhet se është diskutuar rreth zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si vazhdimësi e punës që është realizuar në tri vjetët e fundit.

“Kryeministri Kurti veçoi edhe disa nga projektet e përbashkëta, në mesin e tyre inaugurimi këtë vit i ALPEX për bashkimin e tregjeve energjetike Kosovë-Shqipëri apo edhe ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Durrës që bashkon edhe qytetet historike të Gjakovës dhe Shkodrës, si dhe mundësitë që paraqiten për të tashmen e të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për takimin. 

Kurti thuhet se ka theksuar se si bashkëpunimi në mes dy kuvendeve ka arritur majat më të larta e një nivel të ri.

“Vizita e kryetares Spiropali është dëshmi e angazhimit të përbashkët për thellimin e marrëdhënieve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet dy republikave, teksa angazhohemi për mundësi të reja ndërveprimi për zhvillim të përbashkët dhe sjelljen e qytetarëve në të dy anët e kufirit më pranë njëri-tjetrit”, thuhet në njoftim.