Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e cila zhvillohet në Strasburg, Francë, më 20-21 mars, ka kërkuar pranimin e Kosovës në KiE.
Ajo ka thënë se ky institucion nuk është i plotë pa Kosovën.
“Këshilli i Evropës nuk është i plotë me mungesën e shtetit më të ri të Evropës, Kosovës. Vështirë të gjendet një shtet tjetër që pas 26 vitesh liri dhe 17 vitesh pavarësi të ketë ndërtuar një demokraci vibrante si Kosova. Prandaj pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili ka mbështetjen e Asamblesë Parlamentare, është kërkesa më e rëndësishme e Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë ndaj kësaj konference”, ka thënë ajo, raportoi TCH.
Duke folur për Shqipërinë, ajo tha se 30 vjet pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Shqipëria ka arritur para portave të Bashkimit Evropian, me arritje thelbësore e të prekshme në tre shtyllat kryesore të organizatës të madhe evropiane.
“Vendimi i Asamblesë Parlamentare i prillit 2024 për të nxjerrë Shqipërinë nga procedura e monitorimit të plotë, është një konfirmim i arritjeve tona. Objektivi strategjik kombëtar i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 dhe përfundimin e negociatave teknike brenda vitit 2027 ka gjetur një mbështetje të plotë nga Bashkimi Evropian. Progresi i Shqipërisë drejt Bashkimin Evropian është edhe rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe njohjes nga Këshilli i Evropës të arritjeve tona, sidomos në pavarësinë e degëve të qeverisjes, reformën e thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e pakicave dhe të të drejtave të njeriut, lirinë e medias etj”, ka thënë Spiropali.