Arbëri

Specialja thotë se s’mund të japë informacione mbi kërkesën e Thaçit për pjesëmarrje në varrimin e babait

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Dhomat e Specializuara në Hagë thanë se s’mund të japin informacione mbi kërkesën për vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi në Kosovë, për pjesëmarrje në varrimin e babait.

Në një përgjigje për KOHËN, Gjykata Speciale ka thënë se kërkesat e të paraburgosurve fillimisht janë konfidenciale për shkak të privatësisë dhe sigurisë operacionale, derisa shtoi se pas përfundimit të vizitave, kërkesat bëhen publike.

“Për momentin, Gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa janë gjithmonë fillimisht konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjyqtarët zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente, në mënyrë që publiku të mund të informohet më në detaje”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Dhomat e Specializuara shtuan se vendimet për vizita të tilla organizohen “sa më shpejt që të jetë e mundur”, derisa shtoi se kërkohet koordinim dhe marrëveshje komplekse logjistike.

Dhomat e Specializuara thanë se deri më tani janë realizuar 13 vizita nga të paraburgosurit në Hagë që dyshohen për krime lufte dhe vepra të tjera.

“Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjyqtarët që merren me çështjen i vlerësojnë të gjitha rrethanat në kohën kur kërkesa është bërë me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata si kjo. Ata vendosin bazuar në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e Speciales.

 

Ndërkohë, avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka thënë se kërkesën që Thaçi të vinte në Kosovë për të marrë pjesë në varrimin e të atit, e ka bërë një ditë më parë, të hënën.

Sipas tij, kërkesa është bërë me kohë, por atë nuk e kanë pranuar Dhomat e Specializuara.

“Një kërkesë është bërë nga z. Thaçi dje para orën 14:00 për të marrë pjesë në varrim. Z. Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm”, ka shkruar ai në X.

Ish-presidenti i Kosovës e ka vizituar babanë e tij, Haxhi Thaçin, javën e shkuar (13 mars), kur po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Babai i tij vdiq të dielën (16 mars).

I jepet lamtumira e fundit Haxhi Thaçit

1 muaj më parë / 18 mar 2025 16:43
Varrimi i Haxhi Thaçit babait të Hashim Thaçit

Photo: Ekonomia Online

Qytetarë të shumtë në numër ishin në fshatin Burojë për t’i dhënë lamtumiren e fundit babait të ish-presidentit, Hashim Thaçit, Haxhi Thaçi.

Në varrim pjesë figura të njohura politike, por mungoi Hashim Thaçi, i cili nuk u lejua nga Specialja të marrë pjesë në ceremoninë mortore.

Megjithatë, nga Haga, Thaçi dërgoi një mesazh me kurorë lulesh.

“Në spital të thashë lamtumirë, babë. Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë!” -  thuhet në mesazh.

Ndërkohë, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava u tha familjarëve që të jenë krenarë për të afërmin e tij, pasi sot në nderim të tij kanë ardhur njerëz nga të gjitha trojet shqiptare.

“Me këtë rast shprehim keqardhjen tonë për padrejtësitë e mëdha që janë duke iu bërë çlirimtarëve tanë, që fatkeqësisht sot edhe djali i tij, ish-presidenti që të mos jetë në përcjelljen e fundit të babait të tij. Megjithatë po e shohim që të gjithë nga trojet shqiptare jemi tubuar për të përcjellë gjyshin tonë Haxhiun. Jemi krenar që I takojmë kësaj toke, jemi krenar që i takojmë këtij kombi, jemi krenarë për përpjekjet tona të vazhdueshme që kemi bërë për çlirimin dhe pavarësinë e vendit tone”, tha ai. /KSP