Gjykata Speciale ka njoftuar se më 10 shtator, trupi gjykues ka pranuar në prova dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.
Po ashtu, trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e Prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit.
Veç kësaj, më 5 shtator, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të lejuar pranimin në prova të disa pjesëve të dëshmisë me shkrim të një dëshmitari dhe për ta lejuar atë të dëshmojë nëpërmjet videokonferencës.
“Trupi Gjykues theksoi se mbrojtja nuk kundërshtoi kërkesën dhe konstatoi se dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës është më e favorshme për mirëqenien e dëshmitarit dhe ndihmon në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor”, thuhet në njoftim.
Të njëjtën ditë, trupi gjykues ka miratuar një kërkesë të Prokurorisë që dhe dy dëshmitarë të tjerë të japin dëshmi nëpërmjet videokonferencës, meqë kjo është më e favorshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre, raporton Betimi për Drejtësi.
Trupi gjykues u bind se dhënia e dëshmisë prej tyre nëpërmjet videokonferencës nuk do t’u shkaktojë dëm të akuzuarve dhe është në përputhje me mbrojtjen e efektshme të të drejtave të tyre.
Seanca e ardhshme për këtë rast është planifikuar për të hënën, 16 shtator, duke filluar në orën 09:00.
Në këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
Shumica e viktimave, sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të kjartë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë, e jo civilët.