Arbëri

Specialja fajëson sigurimin për kravatën, Haxhiu thotë se u shkel dinjiteti i Krasniqit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i është drejtuar me letër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, duke i shprehur shqetësime për detyrimin e Jakup Krasniqit për ta hequr kravatën para se të hynte në seancë. Në letrën që e ka siguruar KOHA, thuhet se kjo paraqet shkelje të dinjitetit të Krasniqit si i akuzuar pranë kësaj gjykate. Gjykata për rastin e ka fajësuar sigurimin e saj. E avokati Artan Qerkini kërkon që ky rast të hetohet

Detyrimi i të akuzuarit Jakup Krasniqi, që ta heqë kravatën para se të hynte në gjykatore, të hënën, e ka indinjuar opinionin publik në Kosovë, thuhet në letrën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, drejtuar kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, të cilën e ka siguruar KOHA. 

Në letrën e ministres së Drejtësisë thuhet se veprimi i ndërmarrë nga të punësuarit e Gjykatës nuk duhet të tolerohet në asnjë formë, meqë është i pajustifikueshëm dhe e cenon dinjitetin e të akuzuarit. 

“Ky veprim përbën një ndërhyrje të panevojshme dhe të pajustifikueshme në integritetin personal dhe në dinjitetin e z. Krasniqi. Kërkesa për heqjen e kollares është një akt absurd pasi që çdo individ, pavarësisht nga statusi i tij, ka të drejtën për një trajtim të respektuar dhe dinjitoz në gjykatë. Në këtë kontekst, unë kërkoj nga ju që të ndërmerrni hapat e nevojshëm për ta adresuar këtë çështje dhe të siguroni që veprime të tilla të mos tolerohen në asnjë formë në të ardhmen”, thuhet në letrën e Haxhiut.

Dhomat e Specializuara në Hagë nuk e kanë mohuar se arsyeja pse Jakup Krasniqi u detyra ta hiqte kravatën ishte meqë ajo ishte me ngjyrë të kuqe e me shqiponja – si flamuri kombëtar shqiptar. 
Në sqarimin e gjykatës thuhet se sigurimi i gjykatës i ka kërkuar Krasniqit ta heqë kravatën. Pas seancës siç ka njoftuar gjykata kravata i është kthyer, pas konsultimit të sigurimit me zyrtarë të tjerë. 
Por gjykata nuk ka treguar nëse ka nisur procedura disiplinore për këtë rast ndaj sigurimit.

“Para seancës së djeshme, sigurimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës i kërkoi zotit Krasniqi ta hiqte kravatën, duke kërkuar sqarim prej shefit të Njësisë së Paraburgimit, lidhur me atë se a lejojnë rregullat e paraburgimit lloje të caktuara veshjeje. Kravata iu kthye zotit Krasniqi dje pasdite dhe shefi i Njësisë së Paraburgimit ka konfirmuar se vendosja e saj është e lejueshme”, thuhet në përgjigjen e Speciales. 

Avokati Artan Qerkini ka vlerësuar se vetëm kryetari i trupit gjykues mund të vendosë për gjëra si heqja e kravatës në gjykatore. 

Qerkini është shprehur se ky është skandal dhe duhet të hetohet prej gjykatës. 

“Kravata me simbol kombëtar nuk mund të jetë një rekuizitë që fyen gjykatën. Është me të vërtetë skandal i llojit të vet që kryetari i trupit gjykues as nuk ia ka idenë se kush e ka urdhëruar zotin Krasniqi që ta heqë atë kravatë, prandaj mendoj se gjykata duhet urgjentisht të fillojë një hetim kundër atij personi që i ka tejkaluar detyrat e veta zyrtare – e si pasojë e atij tejkalimi një personi i janë fyer ndjenjat kombëtare, siç është në rastin konkret zotit Krasniqi”, ka deklaruar Krasniqi. 

Sipas tij, reagimi i ministres Haxhiu është i drejtë dhe proporcional meqë, siç ka thënë ai, në këtë rast e ka lënduar dinjitetin kombëtar të Krasniqit. 

Në fakt, Krasniqi me këtë kravatë ishte paraqitur në disa seanca, përfshirë edhe në atë fillestare.