Arbëri

Specialistja jep këshilla për t’u mbrojtur nga i nxehti

Vjollca Zeqiri, specialiste e mjekësisë familjare, ka bërë thirrje për kujdes gjatë temperaturave të larta që po mbizotërojnë këtë verë. 

Ajo ka treguar se simptomat e para kur i nxehti ndikon në organizmin e njeriut janë dehidrimi, tharja e lëkurës dhe mukozës. 

“Sa më të gjata që janë periudhat e temperaturave të larta, edhe ndikimi i nxehtësisë është më i madh. Si pasojë e temperaturave të larta vjen deri te krijimi i një stresi fiziologjik kumulativ që ndikon në përkeqësimin e gjendjeve shëndetësore të cilat ekzistojnë te personat. Për shembull personat që vuajnë nga diabeti, hipertensioni, sëmundjet e zemrës, mushkërive apo veshkave, vjen deri te përkeqësimi i gjendjes së tyre”, ka thënë ajo në emisionin “60 Minuta” në KTV. 

Ndërsa, ka treguar më tej për pasojat që shkakton i nxehti në trupin e njeriut, Zeqiri ka dhënë edhe këshilla. 

“Kemi simptoma të shumta, fillon nga dehidrimi, tharja e lëkurës, tharja e mukozës. Për pasojë paraqiten simptomat e marramendjes, kokëdhimbjes. Por shpesh nuk përfundon këtu. Ndikimi i temperaturave të larta mund të ndikojë në sistemin nervor. Pastaj ndikimi në sistemin kardiovaskular, mund të provokojë paraqitjen e infarktit dhe rritjen e tensionit, pulsit. Mund të ndikojë edhe në muskujt e organizmit, duke shkuar deri te spazma”, ka treguar ajo. 

Zeqiri ka paralajmëruar për kujdes me kondicionerë, që të mos krijohet diferencë shumë e madhe me temperaturën brenda nga jashtë.

“Duhet të evitohen daljet në pikun e të nxehtit, nga ora 11-17. Nëse është e detyrueshme të dilet, duhet të vishen rroba sa më të çelëta, më të lira, syze, kapelë. Sa më shumë ujë të pihet. Ushqimi është shumë me rëndësi, të jetë i pasur me pemë dhe perime. Të evitohen ushqimet me mëlmesa, të fërguara, me shumë kripë”.