Specialistja e mjekësisë familjare, Vjollca Zeqiri, ka dhënë disa këshilla për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta, në kohën kur në Kosovë temperaturat pritet të arrijnë rekord.
Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Zeqiri ka thënë se ekspozimi ndaj temperaturave të larta në mënyrë të vazhdueshme krijon te organizmi i njeriut një stres fiziogjik komulativ, “që ndikon në përkeqësimin e gjendjeve shëndetësore ekzistuese si përkeqësimi i sëmundjeve kardiovaskulare, të frymëmarrje, diabetit apo veshkave”.
Ajo ka paralajmëruar se simptomat qofte edhe nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta për kohë të shkurtër po i paraqet simptomat pas disa ditëve.
Zeqiri ka bërë të ditur se disa nga simptomat janë dehidrimi (humbja e lëngjeve te organizmi i njeriut), urinimi i rralluar e shpeshtimi i problemeve për ata me sëmundje kardiovaskulare dhe kronike.
Specialistja e mjekësisë familjare ka thënë se personat që janë me terapi me sëmundje të zemrës dhe shtypje të gjakut, duhet ta matin sa më shpesh tensionin dhe të bëhet stabilizimi i tij.
Zeqiri ka sugjeruar që gjatë këtyre temperaturave të konsumohen ushqime sa më të lehta, të pasura me pemë e perime dhe të pasur me ujë në mënyrë të bëhet rihidratimi i trupit sa më shumë.
“Shmangia të ushqimeve që janë me kripë pasi ndikon në rritjen e tensionit. Sa më shumë ushqim i freskët”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, është vërejtur rritje e pacientëve me probleme kronike që kërkojnë ndihmë te qendrat e mjekësisë familjare.