Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se ndryshimet politike në Maqedoni të Veriut me zgjedhjet e fundit nuk janë të volitshme për Kosovën, duke shtuar se “ajo mund të kthehet në një vend më të egër”.
Sipas tij, partitë maqedonase që i fituan zgjedhjet do të bëjnë politika “jashtëzakonisht të këqija”.
“VRMO-ja 40 për qind, 5 për qind lëvizja ekstreme kundër NATO-s. 45 për qind ka mbetur krahu pro serb, e kryetari i Kumanovës edhe ai i nxitur po ashtu nga Serbia i ka fituar 10 për qind. Gati 55 për qind i pushtetit në Maqedoni. Nëse Maqedonia nga një vend aleat na kthehet në një vend më të egër se Serbia, se gjithmonë shërbëtori i armikut tënd është më i ashpër se shefi sepse duhet të dëshmohet. Me këto çfarë kanë ndodhur në Maqedoni është jashtëzakonisht keq”, ka thënë Spahiu.
Analisti politik ka shtuar se liderët e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet t’i ftonin politikanët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut e të diskutojnë mbi çështjen.
Sopi: Borrelli, Lajçaku e Escobari kanë “backgrounde” të dyshimta
Panelisti Agim Sopi ka thënë se qysh në fillim Kosova e Serbia në Bruksel nuk janë takuar për t’u dakorduar për probleme nga më të voglat deri më të mëdhatë, apo së paku për të listuar problemet për të cilat duhej të negociohej.
Sopi në “Konfront” të KTV-së ka thënë që kjo ka ndihmuar që lehtësuesit e BE-së të marrin rolin e ndërmjetësuesve.
“Duke luajtur lojën ‘tërhiqu e mos këput’, nga të ashtuquajtur fascilitues kanë krijuar ndërmjetësues. Kanë pritur që ata të sajojnë gjithçka, çdo akt juridik nga marrëveshja deri te drafstatuti. Kështu që kjo marrëveshje nuk është produkt i Kosovës apo Serbisë, por produkt i fascilituesve të menduar, por që vetveten e kanë veshur me autoritet të ndërmjetësuesve”, ka thënë Sopi.
Ai ka thënë se zyrtarët euro-amerikanë si Josep Borrell, Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, kanë “backgrounde” të dyshimta.
“Të jemi të sinqertë, të tre kanë ‘backgrounde’ shumë, shumë të dyshimta dhe kanë mbajtur anë pa ekuivokë nga Serbia. Vetë fakti se BE-ja i ka nxjerrë dy fascilitues që më vonë i shndërroi në ndërmjetësues nga dy shtete që nuk e kanë njohur Kosovën ishte një parashenjë se do të vish këtu para gjyqit e do të detyrohesh të mbrohesh për punë që nuk i ke bërë”, ka thënë Sopi.
Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se Qeveria e Kosovës më s’do të lejojë struktura ilegale të Serbisë.
Në “Konfront” të enjten, Spahiu ka deklaruar se e sheh të vështirë që Serbia të krijojë struktura të reja ilegale në Kosovë, pasi sipas tij, shteti tashmë i ka mësuar organogramet e strukturave aktuale dhe i ka identifikuar anëtarët e tyre.
“Nuk krijohen lehtë strukturat e reja sepse tash është çdo gjë nën kontroll, veç nëse ia fusin institucionet e Kosovës gjumit sepse shteti për atë ekziston - që të mos krijohen struktura të reja. Po të ishte që shteti t’ia fuste gjumë unë do ta krijoja ushtrinë time e do ta merrja shtetin në dorë. Por si ta bëj ushtrinë time vjen policia e më fut në burg se shteti e mbron veten”, ka thënë ai.
Ukshini: Asociacioni do të përdoret nga Serbia për agresion ndaj Kosovës
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të shfrytëzohet nga Serbia për agresion ndaj Kosovës.
Sipas tij, Serbia do të sulmojë integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës në vazhdimësi.
“Serbia do të bëjë agresion të vazhdueshëm në planin e jashtëm, e për të mbajtur tensionin të hapur do të jetë Asociacioni”, ka shtuar ai të enjten në “Konfront”.
Sipas Ukshinit, synimi i Serbisë është ta zgjasë shumë procesin e dialogut me Kosovën, me qëllim që siç tha ai, çështjet të mos zgjidhen.