Opinionisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se Konferenca “Rugova dhe Perëndimi” e organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën, ishte denigrim vetë për figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Denigrim të figurës së Rugovës ai i ka quajtur personazhet që LDK-ja i ftoi, pasi ka thënë se dikur ishin vetë ata që e patën ofenduar Rugovën.
“Kjo ka qenë konferencë për denigrimin e personalitetit të Rugovës, sepse me bë një konferencë për Rugovën dhe me ftu me folë Blendi Fevziun me Edi Ramës që kanë fyer në mënyrën më të poshtër Ibrahim Rugovën, kjo vërtetë nuk ka asnjë kuptim”, ka thënë Spahiu në “Konfront”.
Spahiu ka shtuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ftuar njerëz të tillë me qëllimin që të tregojë se LDK-ja është e tij e jo e Rugovës.
“Ata e kanë fyer Ibrahim Rugovën dhe fyerje më të poshtra se që mund t’i lexosh nga Blendi Fevziu, Edi Rama, për Ibrahim Rugovën nuk mund të gjesh. Pse Lumir Abdixhiku e bën këtë? Ai po tenton tash me thënë se LDK-ja më nuk është e Ibrahim Rugovës, është e imja. Nuk është, por kjo nuk do të thotë se duhet ta denigrosh e poshtëru në mënyrë aq të keqe figurën e Rugovës”.
Në konferencën e së hënës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Rugova ishte politikan atipik e i dha merita edhe për UÇK-në. Duke lartësuar kontributin e tij për ndërtimin e raporteve me miqtë ndërkombëtar, Rama ka shtuar se “urat e ndërtuara nga ish-presidenti i Kosovës, nuk duhet të shkatërrohen nga politikanët e sotshëm”.