Arbëri

Spahiu: Dilema për veriun më nuk ka, Kosova e kontrollon de fakto dhe de jure

Nexhmedin Spahiu

Opinionisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se nuk ekzistojnë më dilema dhe nuk ka mëdyshje më për ndarje territori. Kjo, sipas tij, sepse veriu tash kontrollohet krejtësisht prej Kosovës. 

Spahiu ka theksuar se derisa Serbia nuk ka kontroll, nuk ka as rrezik. 

“Njerëzit po shqetësohen nëse Trump në pushtet dhe ndal luftën në Ukrainë, edhe bëhet copëtimi i Ukrainës etj, edhe çka do të bëhet me veriun. Derisa Kosova tash e ka nën kontroll të gjithë territorin, kjo dilemë më nuk shtrohet. Ky ka qenë rrezik nëse para 4 vjete do të shtrohej kjo ide dhe veriu ishte i kontrolluar prej Serbisë de facto, de jure pjesë e Kosovës. Tash kur veriu i Kosovës de facto dhe de jure kontrollohet prej Kosovës nuk shtrohet si problem. Sigurisht gjithmonë ekziston rreziku që ta humbësh një copë territori, por rreziku të humbet veriu është si rreziku të humbet Llapi apo Gjakova”, ka thënë ai.


Muja: Paradoksi me Trepçën, serbët eksportuan në Bullgari, shqiptarët në Serbi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka treguar për një “paradoks” që deri vjet ka ndodhur me minierën e Trepçës. Sipas tij, Trepça ka operuar në dy njësi të ndara, serbët dhe shqiptarët.

“Që nga paslufta, nën administrimin e AKP-së, Trepça ka qenë numër njësie e ndarë. Edhe kur kemi ardhur në pushtet kanë operuar si njësi të ndara. Është viti i parë që Trepça funksionon me menaxhment të integruar e me numër fiskal të integruar. Krahas Ujmanit e Vllaçit, integrimi i Trepçës ka qenë prioritet strategjik. Këta të veriut [serbët] e kanë eksportuar koncentratin në Bullgari e këta të jugut [shqiptarët] përmes një operatori serb në Serbi. Paradoksi ka qenë jugu, jo veriu. Tash Kosova ushtron kontroll edhe në ato miniera”, ka thënë Muja në “Konfront” të KTV-së.

Muja ka thënë se eksporti i xehjes nga menaxhmenti i Trepçës është bërë në bashkëpunim me Milan Radoiçiqin, përgjegjësin për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku.

“Për vite, Trepça nuk e ka bërë vetë eksportin e koncentratit por me ndërmjetës. Eksporti i xehjes në Budva është bërë në bashkëpunim me Radoiçiqin. Shqiptarët e jugut, menaxhmenti i Trepçës, e kanë eksportuar xehjen në Budva dhe më pas ka shkuar në Kinë e vende të tjera. Qytetarët duhet ta dinë të vërtetën e plotë”, ka shtuar ai.


Demaku e ndërlidh Ujmanin me bregdetin e Shqipërisë: Janë dy lloje propagandash

Panelistja e emisionit “Konfront”, Dafina Demaku, ka thënë se për liqenin e Ujmanit është bërë propagandë paralel me atë për bregdetin e Shqipërisë, e këtë e ka quajtur të pakuptueshme. 

Ajo ka theksuar se pamja nga Ujmani e publikuar ditët e fundit ka ardhur sikur për të treguar se Kosova nuk ka nevojë për bregdetin e Shqipërisë dhe se mund t’i plotësojë nevojat e veta. Kësaj i ka ndihmuar, sipas Demakut, propaganda për kinse çmimet e larta në plazhet e shtetit fqinj. 

“Me shfrytëzu Ujmanin për rekreacion është lajm i mirë. Por, pamja që i tregon njësinë speciale duke patrulluar... Në këtë furi informacionesh është problem të shihet autorësie e çfarëdo lloj propagande, nuk them se kjo është propagandë. Por, para një jave është zhvilluar një propagandë kundër bregdetit shqiptar, e çmimeve të larta, e  kundërta e mikpritjes, që shpërthen çdo vit. Paralel e kemi pa edhe videon e Ujmanit dhe ta lë përshtypjen sikur po garojmë me Shqipërinë dhe përmes liqenit të Ujmanit po i plotësojmë nevojat tona, s’kemi nevojë për plazhin e Shqipërisë. E pakuptueshme pse i ke paralel këto propaganda dhe kush po i bën”, ka thënë ajo. 


Muja: Vizitat e qytetarëve në Ujman, spontane – s’ka organizim nga shteti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, është shprehur i bindur se vizitat e qytetarëve në Liqenin e Ujmanit janë krejtësisht spontane dhe jo të organizuara nga shteti.

Muja u është kundërpërgjigjur raportimeve se pushteti po i organizon vetë udhëtimet për në Ujman, ku qytetarë të shumta po shihen duke u freskuar në liqen në temperaturat e larta që e kanë kapluar Kosovën.

“Tek Ujmani depërtohet nga dy drejtime, përmes Çerkulezit dhe qytetarët nga Skenderaj, Drenasi, Istogu e përdorin këtë drejtim për të ardhur në Ujman, ndërsa drejtimi tjetër është nga Mitrovica. Vizitat janë spontane, nuk janë të organizuara nga shteti të jeni të bindur. Por e rëndësishme është që qytetarët e Kosovës ndjejnë se ka siguri”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Në një video tjetër nga Ujmani, teksa njerëzit laheshin në liqen, shihej Policia e Kosovës teksa qëndronte mbi urë. Kjo nxiti reagime të tjera. Por Muja thotë se Policia qëndron aty edhe sikur mos të ketë asnjë dilemë. 

“Sa i përket Policisë, edhe sikur mos të ketë asnjë dilemë, Policia gjithsesi duhet të qëndrojë në Ujman. Pasi Ujmani paraqet edhe çështjen e sigurisë, është burim i ujit të pijes për disa komuna të Kosovës. Gjithmonë parashihet që liqenet e mëdha duhet të monitorohen. Mirë që është Policia e Kosovës. Asnjë çështje kontestues politike nuk ka. Ujmani është nën kontrollin e plotë të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Muja.