Zyra e Rregullatorit për Energji ka vendosur për shtrenjtim të rrymës të premten. E vetëm pak orë pas miratimit, qytetarët janë mbledhur në shesh të kryeqytetit për të protestuar për herë të dytë kundër vendimit. Gjithçka rreth vendimit dhe protestave e reagimeve, mund t’i gjeni këtu

Haradinaj: Rritja e çmimit të rrymës, goditje për qytetarët dhe shpërblim për të afërmit e pushtetit

1 j. më parë / 11 pri 2025 16:21
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKK), Ramush Haradinaj

Foto: Arkiv

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16 për qind, duke e cilësuar atë si një tjetër goditje për qytetarët e vendit dhe një favor të hapur për klikën mafioze të lidhur me pushtetin aktual.

“Vendimi i sotëm i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e sërishme të çmimit të rrymës është një tjetër goditje për qytetarët e Kosovës dhe një favor i hapur për klikën mafioze energjetike të instaluar nga kjo qeveri”, ka shkruar Haradinaj.

Ai thekson se ZRRE-ja është shndërruar në një instrument në duart e Qeverisë Kurti dhe se nuk vepron më në interes të konsumatorit.

“Sot ka konfirmuar se është bërë mekanizëm për të justifikuar vjedhjen dhe keqpërdorimin në tregun e energjisë. Aferat me shitblerjen e rrymës nuk janë më vetëm dyshime – për to tashmë ka të dyshuar konkretë, njerëz të afërt me kryeministrin”, thuhet tutje në reagimin e Haradinajt.

Sipas tij, ndërkohë që shumë familje në Kosovë mezi përballojnë faturat mujore, persona të lidhur me pushtetin po përfitojnë përmes skemave të paligjshme.

“Ata që janë zhytur në këto afera do të japin llogari para drejtësisë”, përfundon reagimi i kryetarit të AAK-së.

ZRRE: Energjia shtrenjtohet për 16 për qind

1 j. më parë / 11 pri 2025 13:16
ZRRE

Photo: Driton Paçarada

Zyra e Rregullatorit për Energji ka konfirmuar se rritja në mesatare e çmimit të rrymës për të gjitha kategoritë e konsumatorëve do të jetë 16.1%.

Përmes një komunikatë pas mbledhjes së Bordit, ZRRE ka publikuar edhe me shkrim kërkesat e miratuara të tre operatorëve energjetikë. 

“Kërkesa/propozimi fillestar i KOSTT-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OST/OT - ka qene 101.878 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88.198 mil€; Kërkesa/propozimi fillestar i KEDS-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OSSH ka qenë 214.45 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 mil€; Kërkesa/propozimi fillestar i KESCO-s për të Hyrat e Lejuara Maksimale për FSHU ka qene 447.626 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 435.626 mil€, ku përfshihen operatorët e licencuar OSSH dhe OST/OT”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Në Prishtinë protestohet kundër shtrenjtimin të rrymës, paralajmërohet padi ndaj ZRRE-së

1 j. më parë / 11 pri 2025 12:09
protesta

Photo: Driton Paçarada

Dy orë pas mbledhjes së Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në Prishtinë është protestuar kundër rritjes së çmimit të rrymës.

Besnik Shabiu nga nisma “Asnjë cent ma shumë” ka thënë se kërkesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhër nga zyrtarët e ZRRE-së.

“Ekspertët e grupit kanë filluar përgatitjen e padisë. Ne nuk do të tërhiqemi. Do të mblidhemi përsëri e përsëri deri të arrijmë qëllimet tona”, ka thënë ai.

Ali Sefaj, aktivist tjetër nga grupi organizator, ka thënë se padinë do ta dorëzojnë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Ai vendim që e ka marrë ZRRE-ja do të mbetet në sirtar, pasi është i paligjshëm”, ka thënë ai tek ka njoftuar se padia do të dorëzohet të martën.

Bordi i ZRRE-së të premten ka miratuar të hyrat maksimale të lejuara për operatorët të energjisë, duke nënkuptuar rrjedhimisht edhe shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas asaj që u miratua në mbledhjen publike, shifrat janë të ngjashme me ato që ishin në propozim. Pra rritja e çmimit do të jetë rreth 15 për qind.

Foto nga protesta - Driton Paçarada

 

Zyrtarisht shtrenjtohet energjia elektrike

1 j. më parë / 11 pri 2025 11:36
ZRRE

Photo: Driton Paçarada

Zyra e Rregullatorit për Energji ka miratuar të hyrat maksimale të lejuara për operatorët të energjisë, duke nënkuptuar rrjedhimisht edhe shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas asaj që u miratua në mbledhjen publike, shifrat janë të ngjashme me ato që ishin në propozim. Pra rritja e çmimit do të jetë rreth 15 për qind. Ndërkaq sipas raportimit të Radios Evropa e Lirë çmimi i rrymës do të rritet deri në 16 për qind.

ZRRE-ja ka njoftuar se do të dalë me komunikatë për përqindjen e rritjes në ditët në vijim.

ZRRE-ja pritet ta rrisë çmimin e rrymës deri në 16 për qind

1 j. më parë / 11 pri 2025 10:38
zrre

Photo: Driton Paçarada

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) pritet të marrë vendim sot për ta rritur çmimin e rrymës deri në 16 për qind gjatë një mbledhjeje që është duke e mbajtur në këto momente, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime të brendshme.

Megjithë përpjekjet e gazetarëve të pranishëm në mbledhje që të marrin përgjigje nga shefi i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ky i fundit nuk është përgjigjur se sa është rritur çmimi i rrymës në përqindje.

Bordi miratoi kërkesat e tre operatorëve energjetikë për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit),  OSSH (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes) dhe FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal). Nga Bordi u tha se do të sqarohen përmes komunikatës.

Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka thënë gjatë mbledhjes së Bordit se kanë shqyrtuar ankesat dhe kanë analizuar shkaktarët e rritjes së kostos së shërbimit.

“Në detaje i kemi analizuar shkaktarët kryesore që kanë të bëjnë me rritjen e kostos shërbimit. I kemi 4 shkaktarë që kanë ndikuar, ndryshimet në kostot e blerjeve të energjisë nga furnizuesi me shërbim universal, ndryshimet në kostot e blerjes të energjisë nga operatori i sistemit të shpërndarjes, parashikimi i çmimeve të energjisë dhe importeve për 2025 dhe parashikimi për koston e shërbimeve ndihmëse për operatorin e sistemit të transmetimit. Në vlerësimet e 2025 është parashikuar edhe import pasi njësitë gjeneruese janë në planifikim të mirëmbajtjes”, ka thënë ai.


Nis mbledhja e ZRRE-së

Ka nisur mbledhjen Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ku pritet vendimi mbi propozimin për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.

Pos vendimit për propozimin për çmimin e ri, do të vendoset edhe nëse çmimet e reja do të hyjnë në fuqi retroaktivisht për muajin prill apo nga 1 maji.

Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, e pati arsyetuar propozimin për rritje prej 15 për qind, duke thënë se kjo është shkak i çmimeve në bursa të energjisë.

“Shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodhur në bursat e energjisë elektrike, ky është shkaktari kryesor dhe nuk ka përshtatje të tjera që kanë ndikuar në këtë 15%. Të jeni të sigurt edhe në raport me investimet dhe vlerat e tjera të efikasitetit dhe në raport me lakoren e humbjeve, rregullatori i ka njohur vetëm ato që i ka njohur gjatë shqyrtimit. Shkaktari kryesor për rritjen e propozimit të rrymës është çmimi i shkaktuar i energjisë elektrike. Duhet të kemi konsideratë që gjatë këtij viti njësitë e Kosovës B do të jenë në remont të gjatë dhe kërkesa për import është e domosdoshme për të mundur të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm për konsumatorët”, pati thënë ai.