Sot në Bruksel pritet të zhvillohen takimet e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Zyrtarët e BE-së pritet fillimisht që t’i takojnë ndaras kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi si dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq, por ende nuk dihet nëse do të ketë takim trepalësh.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka thënë se ata synojnë që të ketë takim trepalësh por se kjo varet nga vullneti i palëve.
Këshilltari i kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ditë më parë ka folur për temat të cilat pitet të diskutohen.
“Në tërësi, fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit. Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces”, ka deklaruar Kadiu.
Nga 2 korriku i këtij viti palët kanë zhvilluar vetëm takime dypalëshe, ku i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka pritur ndaras kryenegociatorët.
Pas takimit të 2 korrikut Bislimi dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq patën dalë me qëndrime të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime.
Lajçak: U dakorduam për hapat e ardhshëm
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin e të enjtes në Bruksel është biseduar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai ka thënë se është diskutuar edhe për një sërë çështjesh së rëndësishme nga marrëveshjet e kaluara dhe janë dakorduar për hapat e ardhshëm.
Të enjten u zhvillua raundi i radhës i dialogut Kosovë – Serbi në nivel të kryenegociatorëve.
“Mirëprita sot në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ende s’ka filluar në thelb. Ne diskutuam gjithashtu për një sërë çështjesh së rëndësishme që rrjedhin nga marrëveshjet e kaluara dhe u dakorduam për hapat e ardhshëm”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.
Hosted the Chief negotiators of Kosovo and Serbia in Brussels today. We spoke about the implementation of the Ohrid Agreement, which is yet to start on substance. We also discussed a number of important issues stemming from past agreements and agreed on next steps. pic.twitter.com/ZOpMwjfa1H
Petkoviq: Insistuam në themelimin e Asociacionit
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se bisedimet e së enjtes në Bruksel ishin të mundimshme dhe se delegacioni i tij ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Takim me Bislimin ka qenë i mundimshëm, sepse Prishtina refuzon të diskutojë për propozimet e Beogradit. Thelbi i të gjitha marrëveshjeve, si asaj në Bruksel ashtu edhe në Ohër, është formimi i AKS-së dhe kjo është baza e normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Petkoviq transmeton “RTS”.
Ai ka thënë se gjithashtu është diskutuar për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, ndaj së cilës “Prishtina ka bërë komente të ndryshme, duke u përpjekur që edhe ai proces të ndalet”.
Të enjten u mbajt raundi i radhës i bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi. U zhvillua kësaj radhe edhe takim trilateral. Bisedimet u zhvilluan në nivel të kryenegociatorëve.
Bislimi: S’ka rezultate në ecjen përpara në normalizim të raporteve me Serbinë
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin trepalësh të mbajtur të enjten në Bruksel nuk ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve me Serbinë. Ai e ka quajtur rund të dështuar takimin me Petar Petkoviqin e Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Bislimi ka akuzuar Serbinë se po insiston në implementim të pjesshëm të marrëveshjeve. E ka cilësuar këtë qëndrim si joserioz.
“Fatkeqësisht për temën kryesore për të cilën jemi grumbulluar nuk ka rezultate. Në pikën rreth ecjes përpara me normalizimin e raporteve kështu që mbeti në fund që z. Lajçak pastaj të kthehet edhe njëherë te drafti i tij i 9të i datës 8 dhjetor dhe ta plotësoj me komentet e palëve dhe të provojë edhe njëherë. Serbia me gjasë ende më tej insiston në implementim të pjesshëm, sipas idesë ne bëjmë diçka ju bëni diçka por kjo është jashtëzakonisht shumë jo serioze mendoj edhe për Brukselin”, ka thënë ai pas takimit.
Megjithatë sipas tij ka pasur lëvizje pozitive në temat tjera.
“Jemi dakorduar që të bëjmë një grup punues i cili do t`i harmonizojë diku 20 certifikata veterinere të cilat përdoren në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë dhe po ashtu që të kërkohet që trupat e inspektoratit fitro - sanitar të vendosen në mënyrë të përhershme edhe në pikën kufitare në Dheun e Bardhë. Po ashtu u njoftuam nga zotëri Lajçak se ka premtime të mëdha në Beograd që deri në fund të muajit të ardhshëm do të lëshohen linjat e interkoneksionit që ka qenë pjesë e marrëveshjes së energjisë të vitit 2022 dhe ne presim me padurim që kjo të ndodhë për arsye se u shkakton shpenzime të mëdha dhe të panevojshme importuesve të energjisë”, ka thënë tutje ai.
Bislimi ka thënë se është diskutuar edhe për lirinë e lëvizjes. Sipas tij, Lajçaku e ka nënvizuar rëndësinë e një qendre për inspektim teknik që ka bërë Qeveria e Kosovës në veri dhe njohjen e hapave të tjerë që janë bërë në veri.
“Kishte kërkesa të arrihej marrëveshja për lejimin e vizitave së kryenegociatorëve por mendojmë se duhet të respektohet marrëveshja si është nënshkruar më herët. Prekëm tema të ndryshme, por fatkeqësisht te tema kryesore që është e rëndësishme, ecja përpara drejt normalizimit nuk ka lëvizje”, ka përsëritur ai.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë po ashtu se Serbia nuk ka hyrë fare në diskutimin për planin e sekuencimit të marrëveshjeve bazë. Ai e ka quajtur dështim të madh rundin e sotëm të negociatave.
“Ne kemi pasur komentet tona në planin e sekuencimit, ku kemi treguar se me çfarë përmirësimesh ai plan do të jetë i pranueshëm për palën kosovare. Ndërsa Serbia nuk ka hyrë fare në diskutim. Serbia vetëm se kishte preferuar ecjen përpara në mënyrë parciale, ku palët zotohen vetëm për një element të marrëveshjes për ta zbatuar. Mendoj se është dështim bukur i madh i këtij raundi, pasi ishte tema kryesore e bisedimeve sot”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, pala serbe ka thënë se kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq i ka dërguar letër Komisionit Evropian duke thënë se shteti i tij është i përkushtuar t’i zbatojë obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazë.
Bislimi ka thënë se për të qenë kjo e sinqertë, Serbia duhet të tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, me të cilën kishte dalë kundër marrëveshjes.
“Nga Serbia dëgjuam se kryeministri Millosh Vuçeviq në një letër dërguar Komisionit sipas tij, është përkushtuar se do të zbatojë obligimet të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja Bazë. Për të qenë e sinqertë kjo, duhet të shoqërohet me tërheqjen e letrës së Bërnabiqit që është veprim më i lehtë për palën serbe. Nëse Serbia zotohet t’i zbatojë pikat e marrëveshjes, formalizimi është i thjeshtë. Këtë e konfirmoi edhe pala serbe që tha se e vetmja marrëveshje obligative për zbatim është e 2013-s pasi ka nënshkrim dhe është ratifikuar në Kuvend”, ka thënë ai.
Sipas Bislimit, letra ka qenë vetëm që Serbia të marrë fonde nga Plani i Rritjes.
“Kjo e bën edhe më problematike kredibilitetin e Serbisë e cila në një anë thotë se kur duhet të marrë para nga Bashkimi Evropian atëherë do t’i zbatojë e aty ku duhet bërë zotimet për t’i zbatuar thotë jo se unë kam vija të kuqe”, ka thënë Bislimi.
E sa i përket fillimit të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Bislimi ka thënë se Kosova insiston në zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe se nuk i ik obligimeve.
“Nuk mund të insistohet kur për këtë punë së pari duhet të zgjidhet udhëheqja e re e komunave e mendoj se duhet të plotësohen disa kushte tjera. Por, e kemi bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordim për zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë, Kosova nuk i ik asnjë prej obligimeve të saja. Kosova zotohet se e zbaton marrëveshjen në tërësi, siç e ka treguar gatishmërinë ta nënshkruajë në Ohër”, ka deklaruar Bislimi.
Në fund, Bislimi ka thënë se ka kërkuar nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radoiçiqin që ka marrë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë.
Për takimin në Bruksel është informuar edhe nëpërmjet një komunikate nga Zyra e Kryeministrit.
“Në takimin bilateral u trajtuan një mori temash, gjersa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve. Ai nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, patur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Brnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës. Ndërkohë, një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur, ku Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët. Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare. Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë”, u tha nga Zyra e Kryeministrit.
Përfundon takimi trepalësh
Ka përfunduar takimi trepalësh në mes të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë dhe ndërmjetësit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka njoftuar se ende s’dihet se çka kanë diskutuar palët, por sipas tij, ky takim trepalësh është pozitiv pasi tash e një kohë s'ka pasur takime të tilla.
“Kësaj radhe vetë fakti që ka ndodhur takimi trepalësh, është sadopak lajm i mirë pasi në të kaluarën shpesh palët refuzonin të takoheshin dhe të pajtoheshin për agjendën. Çka ka ndodhur në takim ende s’kemi arritur të marrim vesh. Ajo që është diskutuar, sipas burimeve, është rruga përpara në implementimin e marrëveshjes nga të dyja palët”, ka thënë Palokaj të enjten.
Sipas Palokajt, procesi i dialogut ka mbetur aty ku ishte para më shumë se një viti.
“...BE-ja ia ka bartur përgjegjësinë palëve, e palët ia kanë bartur Bashkimit Evropian, e kështu kemi mbetur në dialogun që s’ka shënuar hapa përpara drejt zbatimit të obligimeve që kanë dalë nga dialogu”, ka shtuar ai në emisionin "60 Minuta" të KTV-së.
Palokaj ka bërë me dije se kur Lajçak ta përfundojë mandatin, pasardhësi i tij duhet të insistojë që palët t’i zbatojnë obligimet e dakorduara në procesin e dialogut.
Korrespodenti i KOHËS në Bruksel ka shtuar se obligimet për t’u zbatuar mbesin, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet në të kaluarën, derisa ai përmendi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Disa pika të marrëveshjes mund të zbatohen me vendime politike, por themelimi i Asociacionit është proces dhe duhet të fillojë dhe do të zgjasë, duke nisur nga shkuarja në Gjykatën Kushtetuese...Ndërkombëtarët insistojnë që ky të jetë hapi i parë në procesin e zbatimit, pasi edhe Marrëveshja e Ohrit përfshin obligimin për të zbatuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe Asociacionin”, u shpreh Palokaj.
Nis takimi trepalësh në Bruksel
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë duke e zhvilluar një takim trepalësh në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, raportoi Radio Evropa e Lirë.
Takimi trepalësh nisi të enjten pasdite, pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht./ REL
Nis takimi i Lajçakut me Bislimin
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë ndodhen në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar se ka nisur takimi mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Rundi i ri nisi të enjten me takimet dypalëshe, ku Lajçak së pari është takuar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
Nëse do të ketë vullnet nga palët, më pas mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh.
Lajçaku takon Petkoviqin
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Pas tij, Lajçak pritet të takojë edhe delegacionin nga Kosova, i kryesuar nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.
Siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, pas takimeve dypalëshe të delegacioneve ndaras me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, nëse do të ketë vullnet nga palët, mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh, raportoi RTK.