Arbëri

Sot raundi i takimeve në dialogun Kosovë-Serbi

bislimi lajcak petkovic bruksel dialogu kosove - serbi

Foto-Ilustrim: KOHA

Sot, e martë, pritet të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.

Siç ka bërë të ditur Bashkimi Evropian ditë më parë, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe se aty do të shqyrtojnë “një sërë çështjesh, përfshirë atë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan herën e fundit në tetor.

As aty nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar nga palët në vitin 2023.

Kosova e Serbia dakordohen për komisionin e përbashkët për të zhdukurit

4 muaj më parë / 17 dhj 2024 18:04 Nga: Augustin Palokaj
Dialogu

Në takimin trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë dakorduar për zbatim të marrëveshjes për të zhdukurit.

Këtë e ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi. Pas përfundimit të takimit, ai ka thënë se Serbia ka pranuar të tërhiqet nga tendenca për intervenim në tekst dhe futjen e paragrafit ku kërkohet fuqizimi i rolit dhe prezencës së UNMIK-ut. 

“Jemi dakorduar në dhjetor të vitit të kaluar me versionin final të temave të referencës për aktivizimin e komisionit të përbashkët, pastaj ka pasur tendenca nga ana e Serbisë që të intervenojë në tekst dhe të fusë një paragraf ku në një lloj mënyrë fuqizohet roli dhe prezenca e UNMIK-ut, ne nuk kemi pranuar një gjë të tillë. Pas presionit të palës kosovare, z.Andin Hoti, kanë pranuar ta tërheqin”, ka thënë ai. 

Për këtë ka shkruar edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. 

“Pas tre vjetësh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur”, thuhet në njoftim. 

Në njoftim thuhet se ky hap përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e çështjes së të zhdukurve.

“Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur. Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse”, thuhet në njoftim.

Bislimi ka shtuar se muajin e ardhshëm pritet të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët që do të formohet, teksa Serbia ka premtuar se nuk do të paraqesë pengesa. 

Ai tutje njoftoi se në takimet e së martës janë potencuar edhe shkeljet nga ana e Serbisë, posaçërisht të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023. 

“Kemi adresuar edhe fushën e energjisë, ku kemi potencuar shkeljet e fundit të Serbisë, sidomos sabotimin që Serbia po i bën Marrëveshjes së Brukselit, duke insistuar në fusnota të shpikura në marrëveshjet regjionale. Kemi trajtuar edhe temën e vizitave zyrtare, ku ka brenga se disa vizita po refuzohen pa sqarime shtesë, një praktike që e ka instaluar Serbia që moti. Ky ishte takimi i fundit në Bruksel në kuadër të këtij kompozicioni të komisionit dhe z.Lajçak. Do të kishte ndryshime vetëm nëse ndodh diçka e papritur në negociatat Kosovë-Serbi”, është shprehur Bislimi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se pala serbe në takim ka insistuar për formimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe, ndërsa ka shtuar se është hequr edhe pengesa e fundit në zbatimin e Deklaratës së Personave të Zhdukur. 

“Tani është hequr pengesa e fundit sa i përket zbatimit të Deklaratës për Personat e Pagjetur”, ka thënë ai duke shtuar se do të formohet komisioni për mbikëqyrjen e zbatimit të Deklaratës. 

"Kemi deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023 për Deklaratën për Personat e Zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Nis takimi trepalësh në Bruksel

4 muaj më parë / 17 dhj 2024 16:08
Dialogu

Takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak është duke u zhvilluar në Bruksel. 

Takimi është duke u mbajtur pas takimeve dypalëshe të përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialog, me shefin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Takimi i përbashkët trepalësh mes tyre filloi pas orës 15:00, raporton RTK

Siç ka bërë të ditur Bashkimi Evropian ditë më parë, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe se aty do të shqyrtojnë “një sërë çështjesh, përfshirë atë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan herën e fundit në tetor.

As aty nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar nga palët në vitin 2023.
 

Në orën 15:00 pritet takimi trepalësh në Bruksel

4 muaj më parë / 17 dhj 2024 14:31
bislimi lajcak petkovic bruksel dialogu kosove - serbi

Foto-ilustrim: KOHA

Takimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian, janë duke u zhvilluar sot në Bruksel.

Siç kishte konfirmuar më herët BE-ja, këto takime po realizohen në nivel të kryenegociatorëve.

Sikur edhe herave të mëparshme, së pari po zhvillohen takimet bilaterale të përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me shefin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Më vonë, rreth orës 15:00, pritet të zhvillohet edhe një takim i përbashkët trepalësh.

Sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, në këto takime do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, Lajçak u ka raportuar ndërkohë përfaqësuesve të vendeve anëtare për gjendjen me dialogun dhe ka thënë se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë dhe vullnetit për të bërë ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut./REL