Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do ta mbajë sot takimin e radhës në organet e brendshme për të diskutuar rreth çështjes së presidentit.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN anëtari i Kryesisë, Ardian Shala.
Ai ka thënë shkurt se takimi do të mbahet rreth orës 16:00 në selinë qendore të LDK-së për të diskutuar nëse LDK-ja do ta votojë kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin.
Takimi i Kryesisë së LDK-së vjen disa ditë pasi i pari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, bashkë me nënkryetarin Lutfi Haziri, u takuan me Osmanin në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Përveç takimit të 24 marsit, Abdixhiku dhe Osmani u takuan edhe edhe dy javë më herët me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Nga këto dy takime, nuk pati qëndrime nga LDK-ja nëse do të votonte për presidente ish-anëtaren e tyre, megjithatë takimet u cilësuan “pozitive”.
Sipas Kushtetutës, presidenti i vendit zgjidhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet në raundin e parë dhe të dytë, atëherë kreu i shtetit mund të zgjidhet edhe nëse merr 61 vota. Por, siç ka specifikuar Gjykata Kushtetuese më mars të 2011-s, një gjë e tillë mund të bëhet vetëm me kushtin që në votim të marrin pjesë 80 deputetë.