Arbëri

Sot mbahet mbledhja komemorative “Alban Bujari, fotoreporteri i së vërtetës”

Alban Bujari

Alban Bujari (1970-2025)

Sot në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, nga ora 12:00, do të mbahet mbledhja komemorative “Alban Bujari, fotoreporteri i së vërtetës” në nderim të veprës dhe jetës së fotoreporterit Alban Bujari. 

Fotoreporteri i Grupit KOHA, Alban Bujari, vdiq në mbrëmjen e 27 shkurtit pa i mbushur 55 vjet. 

Në mbledhjen komemorative të hënën do të shfaqet dokumentari për Bujarin, “Dokumentuesi i luftës dhe i paqes”. 

Alban Bujari ishte pjesë e ekipit të KOHËS që kur nisi karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997.

Ai ishte pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë që kanë përcjellë zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve të ‘90-ta. Në veçanti luftën mes UÇK-së dhe forcave serbe dhe krizën humanitare të refugjatëve shqiptarë të Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe, puna e Bujarit u botua në mediat më prestigjoze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, “Suddeutche”, “Zeitung”, “Kyoto News”, e plot të tjera.

Ndër fotografitë më të dalluara janë ato të masakrimit të familjes Jashari në Prekaz më 1998, masakrën e Reçakut më 1999, masakrën e shqiptarëve në Rogovë më 1999. Dhe pos tjerash edhe faktimin e transformimit të UÇK-së në TMK e deri në FSK-në profesionale me synim në NATO.

Alban Bujari gjithashtu ka punuar edhe për agjencinë evropiane të shtypit EPA, përgjegjës për mbulimin e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99.

Alban Bujari - mbledhja komemorative

Vlerësohet lart roli i veprës së Alban Bujarit në dokumentimin e luftës dhe paqes

1 muaj më parë / 3 mar 2025 12:28
Alban Bujari

Photo: Driton Paçarada

Rëndësia e veprës së fotoreporterit Alban Bujari, në dokumentimin e krimeve të luftës e të ngjarjeve që shënuan kohën e pasluftës, është ritheksuar edhe njëherë në mbledhjen komemorative “Alban Bujari, fotoreporteri i së vërtetës”, e cila është mbajtur të hënën në Prishtinë, në nderim të veprës dhe jetës së fotoreporterit Alban Bujari.

Fotoreporteri i Grupit KOHA, Alban Bujari, vdiq në mbrëmjen e 27 shkurtit pa i mbushur 55 vjet.

Mbledhja komemorative ka nisur me një minutë heshtje në nderim të tij.

Në mbledhje është shfaqur edhe dokumentari për Bujarin me titull “Dokumentuesi i luftës dhe i paqes”.

Alban Bujari ishte pjesë e ekipit të KOHËS që kur nisi karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997.


I biri i Alban Bujarit: Gjurmët e tij s’harrohen asnjëherë

I biri i Alban Bujarit, Zjarri, ka thënë se gjurmët e tij nuk do të harrohen asnjëherë. 

“Babi me fund të luftës e pati edhe një copë të mendjes së vet që palëvizshëm mbeti në atë kohë. Ishte një burrë besnik, i ndershëm, i sinqertë, modest, kategorik e parimor, e madje edhe kokëfortë. Vitet, dekadat e shekujt do të shkojnë, por gjurmët e babit do të mbesin e nuk do të harrohen. Ai nuk arriti të plakej bashkë me neve, ai nuk plaket kurrë”, ka thënë ai.

Ndërsa bashkëshortja e Bujarit, Jeta Dida-Bujari, thasë mungesa e tij është e pamatshme, ndërsa dhimbja për humbjen e tij është e pafundme. 

“Albani ishte sytë tanë për realitetin, duart tona për drejtësinë dhe zëri ynë për të pathënat. Për mua, për ne, ai ishte shumë më tepër se fotograf. Që më mbushi zemrën me dashuri, që më mbajti dorën në kohë të vështira, njeriu që i mësoi fëmijët tanë të jenë të ndershëm, të guximshëm dhe të mos kenë frikë të ëndërrojnë. Mungesa e tij është e pamatshme, dhimbja për humbjen e tij është e pafundme”, është shprehur ajo. 


Surroi: Ajo që pa syri i Albanit, tronditi shpirtrat e njerëzve më të pushtetshëm në botë

Themeluesi i KOHËS, Veton Surroi, ka kujtuar veprën e fotoreporterit Alban Bujari, duke e cilësuar si krijues të lirisë, të cilën e deshi dhe e jetoi duke e krijuar.

Në mbledhjen komemorative të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Surroi ka thënë se kjo mbledhje është kremtë e jetës dhe trashëgimisë që Bujari la pas. 

“Kremtojmë jetën e një njeriu që e deshi lirinë dhe e jetoi lirinë duke e krijuar. Liria nuk është dhuratë, është një akt i vazhdueshëm krijimi. Albani ishte një krijues i saj. Një nga ta jo që vetëm e përjetuan lirinë e Kosovës, por edhe e ndihmuan ta ndërtonin. Ishte aty me aparatin e tij duke regjistruar dhe dëshmuar rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, rrugëtimin pjesë e të cilit ishte ai vetë. Albani ishte bujar, bujar në shpirt, bujar në mendim, bujar në dhënien e tij për profesionin dhe shoqërinë. Ishte bujar në mënyrën se si e ndante me të tjerët atë që e shihte, ndiente e që besonte se duhej të tregohej”, ka thënë ai. 

Me fotografinë e tij, Surroi tha se Bujari ka dokumentuar dhimbjen, rezistencën dhe shpresën e Kosovës në sy të njerëzve më të pushtetshëm në botë. 

“Ai nuk fotografoi momentin, por historinë që fshihej pas atij momenti. Atë që kishte parë syri i Albanit, imazhe që do t’i bartte në kokë e në shpirt gjatë tërë jetës së mëpastajme, kishin arritur ta trondisnin mendjen dhe shpirtrat e njerëzve më të pushtetshëm në botë. Ai djalë i cili hyri në KOHË, u bë njëri prej bashkautorëve të narratives së re për Kosovën”, ka thënë ai. 


Rexhepi: Albani ishte profesionist i fotografisë, por nuk e komercializoi atë

Kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi, teksa ka vlerësuar punën e Bujarit në dokumentimin e historisë, ka thënë se ai asnjëherë nuk e ka komercializuar fotografinë. 

“Albani ishte profesionist i fotografisë, por nuk e komercializoi atë, ai qëndroi gjithmonë një fotoreporter. Ai shkrepte, por po të shkruante do të lexonim rrëfime të jashtëzakonshme, pavarësisht se cili ishte objekti në fotografi, tregimi i tij ishte jo vetëm interesant, por edhe plot humor”, ka theksuar Rexhepi. 

Ajo ka thënë se ditën që vdiq, “Albani i mblodhi të gjithë në një vend dhe mori atë që dha, emocionin e sinqertë, respektin e vërtetë dhe lamtumirën e fundit”. 

“Të gjithë e vlerësuam sot dhe po e vlerësojmë në këto ditët e fundit për punë që e ka bërë, për punën e qe e ka bërë, për peshën e fotografisë së tij, në dokumentimin e historisë, në ndërtimin e narrativës së Kosovës, por përtej kësaj nuk thamë se cila ishte pesha që ai barti, jo e aparatëve fotografikë, sa e tmerrit që e përjetoi si djalë i ri në misionin që pati. Sa ishim aty për të dhe sa u vlerësuan ata që luftën e bën në mënyrën e vet. Albani ishte në Likoshan para 27 vjetësh, e kreu punën e tij, e ne i mbetëm borxh edhe atij, edhe viktimave. Por, Albani jetoi ashtu siç edhe punoi, fotografia e tij shihej po nuk fliste, nuk kërkonte gjë”, është shprehur Rexhepi.