Në cikël dështimesh që nga 15 prilli është futur Kuvendi i Kosovës. Deputetët e zgjedhur nuk po arrijnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot do të jetë përpjekja e shtatë për dalje nga bllokada. Seanca nis në orën 10:00. Gjithçka që ndodh në seancë dhe rreth saj mund ta përcillni këtu
Peci i quan të pavërteta pretendimet se ka kërcënuar me largim nga VV-ja nëse Limaj zgjidhet kryeparlamentar
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, i ka quajtur të pavërteta dyshimet se ai mund të largohet nga ky grup parlamentar në rast se Fatmir Limaj do të kandidohet për kryetar Kuvendi nga kjo parti.
Në adresimin për media pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, Peci u pyet nga gazetarët se “pse ka kërcënuar se do të largohet nga VV-ja në rast se kandidohet Limaj për kryeparlamentar.
Ai ka thënë se kjo pyetje është sugjestive që tenton vetëm të nxjerrë titull.
“Krejt e pavërtetë. Për herë të parë po e dëgjoj nga ti. Ndërsa unë jam në krejt pjesën e konsultimeve dhe diskutimeve të brendshme. Emër i pranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje vazhdon të jetë Albulena Haxhiu, por pyetja juaj sugjestive që po tenton ta nxjerrësh një titull, është totalisht e pavërtetë”, ka thënë ai.
Murati: VV-ja ka kryer obligimin kushtetues, s’mund të bëjmë përtej votës pro
Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se partia e tij ka kryer obligimin kushtetues me propozimin e emrit të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. E sipas tij, mosvotimi i saj dhe si rrjedhojë ngërçi në Kuvend nuk është përgjegjësi e deputetëve të VV-së, por e atyre që votojnë kundër.
“Ne kemi kryer obligimin tonë kushtetues, duke propozuar kandidatin për kryetar dhe duke votuar për. Ata që thonë se po bllokohet nga të gjithë dhe të gjithë duhet të ndajnë përgjegjësinë e kanë gabim. Bllokada s’bëhet me votë për. Ne përtej saj s’mund të votojmë vota të tjera”, ka thënë ai. “Bllokada nga ne do të ishte po të mos propozonim emër fare”.
Murati ka thënë se kompromisi që VV-ja mund të bëjë në konstituim është në “votën për nënkryetarët e opozitës”.
Murati është pyetur përse VV-ja nuk e pati votuar Kadri Veselin për kryeparlamentar dhe dallimin me propozimin e Haxhiut në situatën aktuale.
“S’e kemi votuar Veselin më 2014 për shkak se ishte koalicioni VLAN që në atë kohë kishte dështuar pikërisht për shkak të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese. Kurse më vonë pozita e kryetarit të Kuvendit ishte pjesë e negociatave të koalicioneve fituese të zgjedhjeve që e kanë futur si pjesë të diskutimit për koalicionin qeverisës”, ka thënë ai.
Bajrami: Qytetarët s’kanë votuar më 9 shkurt që të dërgohet vendi sërish në zgjedhje
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë votuar më 9 shkurt që vendi të dërgohet sërish në zgjedhje.
Në deklarimin për media pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, Bajrami ka thënë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje ta zhbllokojë situatën, jo e tyre.
“Qytetarët e vendit nuk kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit për ta dërguar vendin sërish në zgjedhje. Nuk është përgjegjësi e jona për ta zhbllokuar situatën, por e tyre. Nuk ka forcë politike që e imponon votën e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se zgjedhjet e mbajtura në shkurt kanë treguar se qytetarët nuk i kanë dhënë askujt shumicën absolute për t’i formuar institucionet si parti e vetme.
“Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiun, por as për ndonjë kandidat tjetër. Zgjedhjet e 9 shkurtit e kanë treguar qartë se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk i kanë dhënë askujt shumicën absolute për të formuar si parti e vetme institucionet e Kosovës edhe për shkak të dështimeve në 4-vjecarin e kaluar. LVV-ja insiston t’i marrë të gjitha institucionet, të gjitha pozitat pa e pasur shumicën dhe një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Është dështim vetëm i tyre nëse këta nuk kanë lënë hapësirë bashkëpunimi me asnjë parti tjetër politike dhe kjo është për shkak të shkeljes së ligjeve, të Kushtetutës dhe sjelljes së tyre shumë arrogante”, ka thënë ajo.
Krasniqi: Bllokada më shumë sesa për Haxhiun është për Kurtin, s’po mund të bëhet kryeministër
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se bllokada e krijuar për konstituimin e Kuvendit, po bëhet më shumë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, sesa për të propozuarën e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila nuk po i merr votat për kryekuvendare.
Pas dështimit të seancës të së dielës, Krasniqi para mediave ka thënë se kështu po bllokohet edhe shteti dhe është lënë vendi pa institucione legjitime.
“Kjo është mungesë totale e përgjegjësisë, qytetarët kanë votuar për të ardhur e të diskutuar për tema që iu interesojnë atyre. Unë do të doja që sa më shpejt të kalonim në hapat e zgjedhjes së qeverisë. Qeveria nuk ka legjitimitet. Bllokada këtu më shumë se për Albulena Haxhiun është për Albin Kurtin, sepse Albin Kurti nuk po mund të bëhet kryeministër. Duke mos dashur të bllokohet te emri i tij, e sakrifikon Albulena Haxhiun. Por, kështu po e bllokon edhe shtetin e qytetarët duke na lënë pa institucione legjitime. Nuk ka nevojë për takime në këtë fazë, vetëm duhet ta ndryshojnë kandidatin. Nuk mbahet shteti peng për një njeri, cilido qoftë ai apo ajo”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se nëse vazhdon kjo bllokadë, është shumë më mirë të shkohet në zgjedhje.
Kadrijaj: VV-ja me qëllim po e bllokon situatën
Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, se qëllimisht po e bllokon situatën në Kuvend.
Të dielën u votua për herë të pestë për propozimin e VV-së që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare. Deri tash non-stop ajo ka marrë vetëm 57 vota pro.
Sipas Kadrijajt, përsëritja e rezultateve tregon se VV-ja “nuk ka qëllim të zhbllokojë Kuvendin”.
“Po të kishte lëvizje apo mund, ndoshta do të mund të siguronte të paktën një votë, por po shihet se rezultati po përsëritet dhe po mendoj se qëllimshëm po e bën. Duke e pa se Haxhiu s’i ka votat, po e përsërisin, edhe pse partitë kanë thënë se po të ketë propozime të tjera mund të votohen”, ka thënë ajo pas dështimit të së dielës.
Limaj: U pa mjaftueshëm, shpresoj të reflektohet
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se “është parë mjaftueshëm” ngërçi në Kuvend dhe se tash pret reflektim që të krijohet një shumicë në Kuvend dhe për formimin e Qeverisë.
“Deri sot ka pas afat me u thirre seanca. Sot po shohim njëfarë konfuzioni. Kuvendi ka pasur obligim brenda muajit të thirret. Duhet të krijohet shumica parlamentare që zgjedhë edhe Kuvendin edhe Qeverinë. Shpresoj që mjaftueshëm është parë dhe shtresuar dhe po shpresoj se do të reflektohet e do të ketë kapacitete për të ndërtuar një shumicë qeverisëse që reflektohet edhe në Parlament edhe në Qeveri”, ka thënë ai.
Të dielën dështoi për herë të pestë votimi i Albulena Haxhiut të VV-së për kryeparlamentare. Nisma që është përmendur si partnere potenciale për VV-në, me tre deputetë, ka abstenuar në këtë votim.
Sërish vetëm 57 vota për Haxhiun, Kuvendi s’del nga ngërçi
Do të duhet edhe përpjekja e tetë për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi edhe në votimin e pestë, Albulena Haxhiu e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk mori votat e mjaftueshme as të dielën.
57 deputetë votuan pro kandidaturës së saj. 41 ishin kundër e 3 abstenuan.
Kuvendi do të mblidhet sërish të martën me fillim prej orës 10:00.
Limaj: Votojmë si herën e kaluar
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka paralajmëruar se vota e tij dhe dy deputeteve të partisë së tij, do të jetë e njëjtë për propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare.
“Votojmë si herën e kaluar”, ka thënë shkurt ai në hyrje të Kuvendit.
Nisma deri tash ka abstenuar në votimin për propozimin e VV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun.
Ajo ka marrë në katër votime deri tash nga 57 vota.
Gashi nuk mendon si partia e tij për kallëzimin penal ndaj Kurtit
Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se ka mendim “pak më ndryshe” për qëndrimin e partisë së tij për ngritjen e kallëzimit penal ndaj ministrave të Qeverisë Kurtit për ushtrimin e detyrës edhe në qeveri në kohën sa ishin të betuar si deputetë.
“Kam mendim pak më ndryshe për këtë çështje. Sa i përket kësaj mendoj se nuk është publike akoma”, ka thënë ai në hyrje të Kuvendit.
Në prag të seancës së shtatë për konstituim, Gashi, që në legjislaturën e fundit ishte shef i grupit parlamentar të LDK-së ka thënë se situata është për keqardhje.
“Por pres që të gjitha partitë politike, duke filluar nga LVV-ja të bëhen më të përgjegjshme dhe të bëjnë një zgjidhje”, ka thënë ai.
Sipas tij, aktualisht presidentja s’ka kompetenca për të zgjidhur çështjen. “Është kryekëput e partive”, ka thënë ai.
Krasniqi: S’jemi të interesuar për koalicion ku është Lista Serbe
Deputeti nga radhët e komuniteteve Elbert Krasniqi ka thënë se grupi multietnik në Kuvend nuk dëshiron të jetë pjesë e një koalicioni qeveritar në të cilin do të ishte pjesë edhe Lista Serbe.
Në hyrje të Kuvendit, për seancën e shtatë në përpjekje për konstituim të Kuvendit, Krasniqi që ishte ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverisjen e fundit, ka komentuar mesazhet që kanë qarkulluar se “deputetë të Listës Serbe mund të votojnë për Kurtin”.
“Qëllimi ka qenë dhe mund të jetë që ata dëshirojnë të jenë pjesë me votën e tyre në mënyrë që të krijohet përshtypja se ka koalicion. Është e qartë se as VV-ja e as ne si grup multietnik s’jemi të interesuar të jemi në ndonjë koalicion ku është Lista Serbe, sepse është lista të cilës i prin Radoiçiqi, këtu, atëherë, tash dhe nesër”, ka thënë ai.
Krasniqi: Zgjidhja – ndonjë kandidat tjetër
Propozimi i një kandidati tjetër për kryeparlamentar dhe jo i Albulena Haxhiut, mund të jetë zgjidhja për daljen nga ngërçi në Kuvend të Kosovës, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Ishalla lëviz diçka. Ndoshta kanë ndërruar kandidatin po shpresoj. Përndryshe, duan të vazhdojnë bllokadën. Zgjidhja, po, ndonjë kandidat tjetër”, ka thënë ai për gazetarët para hyrjes në Kuvend.
Sot mbahet përpjekja e shtatë e Kuvendit për konstituim të legjislaturës së nëntë. Ngërçi është shkaktuar te propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar. Partia fituese ka propozuar Albulena Haxhiu, por në katër votime deri tash ajo ka marrë nga 57 vota.
Partitë e opozitës së katër vjetëve të shkuara kanë kërkuar ndryshim të kandidatit, ndërsa Lidhja Demokratike ka thënë se nuk e voton askënd.
Peci: Duhet të reflektohet, çdo ditë e humbur është humbje për Kosovën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka thënë se çdo ditë e humbur për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është “humbje kohe për Kosovën”.
Në hyrje të tentimit të radhës për konstituim të legjislaturës së nëntë, Peci ka thënë se pret që të ketë reflektim qëndrimesh.
“Ajo që pritet është procesi i vazhdimit. Shpresoj që të bëhet konstituimi sa më shpejt. Çdo ditë e humbur në drejtim të konstituimit të Kuvendit, është humbje për Kosovën. Në funksion të kësaj mendoj se duhet të reflektohet. Ka diskutime të vazhdueshme, të shohim rezultatin. Votimi në Kuvend tregon nëse ka apo jo”, ka thënë ai.
Fejza e VV-së: S’kemi ndryshuar qëndrimet
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka thënë se partia e saj nuk ka ndryshuar qëndrim për seancën konstituive.
Sot Kuvendi mban përpjekjen e shtatë për konstituim të legjislaturës së nëntë. Ngërçi është shkaktuar te propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar. Partia fituese ka propozuar Albulena Haxhiu, por në katër votime deri tash ajo ka marrë nga 57 vota. Partitë e opozitës së katër vjetëve të shkuara kanë kërkuar ndryshim të kandidatit, ndërsa Lidhja Demokratike ka thënë se nuk e voton askënd.
“S’kanë ndryshuar rrethanat. Normalisht që s’kanë ndryshuar as qëndrimet tona”, ka thënë Fejza në hyrje të Kuvendit.
Kadrijaj: S’presim asgjë të re, s’e votojmë Haxhiun
Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se as në seancën e ftuar për të dielën nuk presin të ketë ndonjë ndryshim në propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar. Megjithatë, ajo ka përsëritur qëndrimin e saj se Albulena Haxhiu nuk do të marrë votat e AAK-së për këtë pozitë.
“S’po presim asgjë. S’kemi pasur asnjë ftesë. Kjo shumica duhet t’i ketë votat. Kjo klasë politike duhet të angazhohet që të sigurojë shumicën e thjeshtë. Ne s’kemi parë ndonjë angazhim të tillë. S’kemi ndonjë ftesë. S’kemi ndonjë risi. S’dimë a do të ndryshojë kandidati. S’do ta votojmë kandidaten për kryeparlamentare”, ka thënë ajo në hyrje të Kuvendit, në prag të seancës së shtatë për konstituim.
AAK-ja ka thënë se nëse VV-ja propozon Saranda Bogujevcin ose Shqipe Selimin, do t’i votonte për kryeparlamentare.
Kuvendi sot mblidhet sërish për konstituim
Në cikël dështimesh që nga 15 prilli është futur Kuvendi i Kosovës. Deputetët e zgjedhur nuk po arrijnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot do të jetë përpjekja e shtatë për dalje nga bllokada.
Ngërçi është shkaktuar te propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar. Partia fituese ka propozuar Albulena Haxhiu, por në katër votime deri tash ajo ka marrë nga 57 vota. Partitë e opozitës së katër vjetëve të shkuara kanë kërkuar ndryshim të kandidatit, ndërsa Lidhja Demokratike ka thënë se nuk e voton askënd.
Në 48 orët e fundit, partitë nuk kanë paraqitur ndryshim qëndrimesh publikisht.
Seanca konstituive është obligim të mbahet çdo 48 orë pas ndërprerjes. Rrjedhimisht deputetët po mblidhen qe shtatë herë, që prej 15 prillit (çdo dy ditë).
Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.
Para ngërçit te emri i kryeparlamentarit, fillimisht pati bllokadë në kalimin e raportit të komisionit për verifikim mandatesh.