Arbëri

Sot Pashkët, ipeshkvi Dodë Gjergji përçon mesazh për paqe

Dode Gjergji

Ipeshkvi i Dioqezës Prishtinë-Prizren Dodë Gjergji ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë ndërmjet njerëzve në mbarë botën, në meshën qendrore të mbajtur mbrëmë në Katedralen “Shën Tereza”, me rastin e festës së Pashkëve.

Duke ftuar besimtarët katolikë që këtë festë të madhe ta kremtojnë me lutje për paqe dhe zemrat e mbushura me shpresë dhe gëzim, ipeshkvi Dodë Gjergji bëri thirrje për paqe e pajtim në mbarë botën si një qëllim i përbashkët për të mirën e njerëzimit.

“Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Evropë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit, shkëlqimin e shpresës dhe ngushëllimin e fesë, sepse ne që kemi besuar në Krishtin e Ngjallur, jemi të thirrur të bëhemi forca që i qëndron kohës dhe sado e vështirë të jetë ajo”, tha Dodë Gjergji, raporton "KosovaPress".

Ipeshkvi Dodë Gjergji ka thënë se Pashkët nuk janë thjesht një datë kalendarike apo një zakon që përsëritet çdo vit, por një ngjarje e gjallë në jetët tona.

“Kjo nuk do të thotë të heshtim përballë së keqes, por ta përballojmë atë me dashuri, ta sfidojmë me forcën e së vërtetës, dhe çështjen tonë si edhe kohën tonë t’ia besojmë Zotit, sepse kështu i ka hije bijve të Dritës, të rilindur përmes Pagëzimit. Lus Zotin që kjo Pashkë të bëhet për të gjithë një fillim i ri, ku paqja dhe pajtimi ndërmjet nesh, me të tjerët dhe në mbarë botën, të bëhen qëllimi ynë i përbashkët”, ka thënë ai.

Sot, në Ditën e Pashkëve, në orën 11:00 mbahet mesha për besimtarët katolikë në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, ndërsa në orën 19:00 ipeshkvi Dodë Gjergji organizon pritjen solemne në Qendrën “BogdaniPolis”.

Osmani: Qofshin Pashkët një moment reflektimi, afrimi dhe dashurie për të gjithë ne

12 o. më parë / 20 pri 2025 09:09
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar gjithë besimtarët katolikë e ortodoksë, për festën e Pashkëve. 

“Kjo festë, e cila këtë vit na bashkon në një datë të vetme, na kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë. Qofshin Pashkët një moment reflektimi, afrimi dhe dashurie për të gjithë ne. Gëzuar për shumë mot Pashkët!” – thuhet në urimin e Osmanit.