I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, prej kur mori këtë post duke e zëvendësuar paraardhësin e tij, Miroslav Lajçak, ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti

Sorensen përfundon takimin me Osmanin, shkon te Kurti

(E përditësuar 10:45) - I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, është pritur të hënën në takim nga kryeministri Albin Kurti.

Ky takim mes Kurtit dhe Sorensenit ka nisur pas përfundimit të atij me presidenten Vjosa Osmani. 

Osmani dhe ai nuk janë prononcuar për media pas përfundimit të takimit.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Sorensenit në Kosovë që kur ka marrë detyrën.  


Nis takimi i Sorensenit me Osmanin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani.

Takimi midis Osmanit dhe Sorensenit ka filluar disa minuta para orës 10:00.

Mediat janë lejuar të marrin pamje në fillim të takimit, teksa nuk dihet nëse dyshja do t’u drejtohet mediave më pas. 

Kjo është vizita e parë zyrtare e Sorensenit në Kosovë që kur ka marrë detyrën. 


Sorensen sot në Kosovë, takon Osmanin, Kurtin e Bislimin

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, sot do të qëndrojë në Kosovë, në vizitën e tij të parë prej kur mori këtë post duke e zëvendësuar paraardhësin e tij, Miroslav Lajçak.

Emisari i BE-së do të pritet në takim nga presidentja Vjosa Osmani në kabinetin e presidentes nga ora 09:45. 
Kryeministri në detyrë Albin Kurti do ta presë në takim Sorensenin në orën 10:30 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Pas takimit me Kurtin, emisari i BE-së do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi.

Sorensen do të vizitojë Kosovën për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut, në kuadër të së cilit për muaj nuk ka pasur lëvizje.

Ndër temat e para që do të mund të diskutoheshin gjatë vizitës së tij është edhe zbatimi i Deklaratës për të Pagjeturit, për të cilën palët kishin rënë dakord por takimi i fundit në Bruksel në nivel të ekspertëve kishte dështuar që të zhvillohet por që të sjellë ndonjë rezultat.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e re për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë para disa javësh se gjatë këtij muaji do të shikojnë se si do të ecet përpara në procesin e dialogut, duke përmendur po ashtu edhe faktin se ka kritika ndaj formatit të deritashëm të këtij procesi.

Në BE vazhdojnë të thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat që si Kosova ashtu edhe Serbia të përmbushin të gjitha obligimet e tyre që dalin nga procesi i deritashëm i dialogut e kjo përfshinë edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Bislimi takon Sorensenin: Ngrit shqetësimin për përpjekjet e Serbisë për t’i ndalur ndihmat për Luginë

1 muaj më parë / 17 mar 2025 15:48
Besnik Bislimi dhe Peter Sorensen

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në takimin që e ka zhvilluar me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka ngritur shqetësimin për përpjekjet e Serbisë për t’i ndaluar ndihmat financiare të Qeverisë së Kosovës për qytetarët e Luginës së Preshevës. 

Të hënën kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka njoftuar se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Dialog në Serbi, ka anuluar vendimin e Këshillit për subvencionimin e fermerëve nga Lugina e Preshevës të financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Zëvendëskryeministri ngriti shqetësimin dhe e informoi emisarin Sorensen mbi përpjekjet e autoriteteve serbe për të ndaluar ndihmat financiare të qeverisë së Republikës së Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshevës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. 

Në takimin mes Bislimit e Sorensenit thuhet se është biseduar për një sërë temash, siç thuhet, me fokus në rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i implementimit i Ohrit duhet të zbatohen në tërësi përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve. Ai vlerësoi edhe qëndrimin publik të Bashkimit Evropian se sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është shkelje e marrëveshjes”, thuhet në njoftim.

Kurti i kërkon Sorensenit heqjen e masave, thekson rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazë

1 muaj më parë / 17 mar 2025 15:12
Albin Kurti dhe Peter Sorensen

Kryeministri Albin Kurti në takimin që të hënën e ka zhvilluar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës. 

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit për takimin, Kurti i ka quajtur masat të padrejta dhe kufizuese.

“Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se Kurti ka theksuar edhe rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit.

“Diskutuan për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe për rrugën përpara. Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Duke rikujtuar sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar”, thuhet në njoftim. 

Kurti thuhet se ka kërkuar që Milan Radoiçiq dhe grupi i tij t’i dorëzohen Kosovës për gjykim. 

“Ai gjithashtu nënvizoi rrezikun që kryeterroristi Millan Radoiçiq, bashkë me grupin e tij, vazhdon të paraqes për sigurinë e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut për sa kohë që vazhdon të jetë i lirë në Serbi, përkundër pranimit të fajësisë para autoriteteve në Serbi dhe aktakuzës 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Andaj, përsëriti thirrjen, që Radoiçiq dhe grupi i tij t'i dorëzohet Kosovës për gjykim”, thuhet në njoftim.

Sorensen pas takimit me Kurtin: Fillim i mirë

1 muaj më parë / 17 mar 2025 12:58
Peter Sorensen

Photo: Driton Paçarada

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti është biseduar rreth mënyrës se si mund të ecet përpara me procesin e dialogut.

Ai këtë zhvillim e ka quajtur “fillim i mirë”.

Në një adresim të shkurtër për media pas takimit me Kurtin, Sorensen ka deklaruar se procesi i dialogut ka sjellë me vete shumë zhvillime në të cilat duhet punuar. 

"Qëllimet janë që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara. Tani qëllimi për mua është që të flasë me njerëz dhe të shoh qëndrimet e tyre. Unë kam diskutime këtu në Prishtinë, por po ashtu më duhet të shkoj në Beograd. Pasi të zhvilloj këto biseda unë do të ulem dhe të shoh se ku jemi. Ne duhet të punojmë dhe sigurohemi që qytetarëve t`iu ofrohen shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo është ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë", ka thënë ai.

Derisa është pyetur për kompromise, ai ka thënë se kjo u takon palëve ta përcaktojnë. 

Osmani ia paraqiti Sorensenit vërejtjet për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja

1 muaj më parë / 17 mar 2025 11:21
Vjosa Osmani dhe Peter Sorensen

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në takimin që e ka zhvilluar me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, sipas Presidencës, ia ka paraqitur atij vërejtjet për Draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Në takim me z. Sorensen, presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Osmani thuhet se ka konfirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të lehtësuar nga BE-ja, siç thuhet duke theksuar rëndësinë e një zbatimi të plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve të arritura.

“Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marrëveshjes së shkurtit 2023”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se sipas presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe ka theksuar se në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, “Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë”.

Gjatë takimit thuhet se është diskutuar roli i NATO-s, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, krahas institucioneve të Kosovës, sikurse edhe roli i EULEX-it, në kontekstin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Presidentja Osmani në takim thuhet se ka theksuar rëndësinë e stabilitetit politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe nevojën e konstituimit të institucioneve sa më parë, me qëllim të vazhdimit të reformave kyçe për integrimin evropian të vendit.


 

Osmani pas takimit me Sorensenin: Kosova meriton trajtim të barabartë në dialog

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit më të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka vlerësuar se Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE-së.

Ajo ka thënë se masat e BE-së ndaj Kosovës po de dëmtojnë balancën në dialog. 

Ajo ka thënë se në takim kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, sigurinë në rajon dhe integrimin evropian të Kosovës.

“Kosova është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, ka shkruar Osmani.