Arbëri

Sopi: Vitin e ardhshëm do ta kemi në tavolinë ndarjen e Kosovës, jo Asociacionin

Agim Sopi, panelist i emisionit “Konfont” në KTV, ka thënë të martën se beson që vitin e ardhshëm në dialog të jetë në tavolinë ndarja e Kosovës dhe jo çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, te kjo po çojnë ndryshimet në rrethanat botërore. Ai ka thënë se rikthimi i Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të çonte në kthimin e diskutimeve për ndarjen e Kosovës.

“Le që s’do ta mbrojë Evropën, por do ta inkurajonte Rusinë ta sulmonte. Do të insistonte në ndarjen e Ukrainës dhe Evropë tjetër e dihet se do të ketë plan për ndarjen e Kosovës e dyshoj se kjo do të jetë në tavolinë dhe jo Asociacioni”, ka thënë ai.


Gjinovci: PDK-ja do zgjedhje pasi sondazhet e nxjerrin të parën në opozitë

Opinionisti Rron Gjinovci ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës dëshiron të ketë zgjedhje pasi sondazhet e nxjerrin të parën në opozitë. 

Sipas tij, PDK-ja ka shansin më të mirë që të marrë më së shumti vota se që ka marrë në ndonjë palë zgjedhje ndonjëherë. 

“Mendoj se gatishmëria e PDK-së ka të bëjë me sondazhet e fundit që janë bë, për herë të parë pas zgjedhjeve PDK-ja ka dalë para LDK-së dhe ka shënuar rritje nëpër sondazhe. Për këtë arsye, PDK-ja din kur me dalë prej pokerit. Boll ka luajt deri tash me fatin dhe tash i ka 17-18% dhe thotë po dal prej lojës me këto se mundet me i pasë 12 sa i ka pasë në zgjedhje. LDK-së dhe AAK-së nuk i konvenon sepse AAK të gjithë e dimë që është shumë keq në sondazhe, e LDK-ja ka shpresu që ka me marrë më shumë përkrahje prej qytetarëve dhe tash do kohë për ta përmirësuar këtë gabim”, ka thënë ai në “Konfront”.

Gjinovci ka thënë se darka mes kryeministrit e opozitës nuk do të duhej të bëhej temë e madhe diskutimi. 


Demaku: Ka një përafrim në heshtje të presidentes Osmani me LDK-në

Panelistja e emisionit “Konfront”, Dafina Demaku, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka përafrim në heshtje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa sipas saj, kryeministri Albin Kurti e ka gjetur krahun tjetër, atë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas Demakut, Osmani e Kurti kanë ftohur raportet mes vete.

“I pamë edhe kritikat të partive të tjera opozitare për PDK-në [për takimin me Kurtin]. Presidentja Osmani ditëve të fundit ka qëndruar në Teksas dhe disa vende të tjera, këtu po më doket se është një farë përafrimi në heshtje e Osmanit me LDK-në, ndërkaq Kurti e ka gjetur këtë krahun tjetër. Nëse e quan sot PDK-në si ‘patericë të pushtetit’ të Kurtit, në anën tjetër është LDK-ja që e ka votu Osmanin si presidente. Sipas burimeve të mia, Kurti çdo të hënë ka pasur takime të rregullta me Osmanin. Këto takime qe një kohë të gjatë nuk janë duke vijuar. Tregon për krisje të raporteve. Kanë filluar me marrë anë në prag të zgjedhjeve”, ka thënë ajo në “Konfront” të martën.

Demaku ka thënë se ka pritur nga Kurti të flasë për zgjedhje në këto momente, “kur fatkeqësisht po dështon votimi i Kosovës në Këshill të Evropës”.


Spahiu: Kurti po kërkon zgjedhje këtë vit për të shfrytëzuar votën e diasporës

Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po kërkon zgjedhje gjatë këtij viti për ta shfrytëzuar votën e diasporës.

Spahiu ka thënë se Kurti paragjykon që vota e diasporës është votë e tij. 

Ai ka shtuar se prej partive opozitare, vetëm PDK-ja është realisht e gatshme për zgjedhje të parakohshme. 

“Arsyeja pse kryeministri Kurti tenton të bëjë zgjedhje tani është për shkak se Gjykata Kushtetuese e ka bllokuar Ligjin për votim në ambasada dhe kështu që ai dëshiron ta shfrytëzojë prezencën e diasporës këtu për të përfituar numër më të madh votash, duke paragjykuar se vota e diasporës është votë e tij, kështu që kjo është arsyeja pse ai dëshiron të ketë zgjedhje. Arsyeja pse PDK-ja është e vetmja që realisht është e gatshme për zgjedhje është e brendshme pasi që aty pas shkuarjes në Hagë të themeluesve të saj, ka një garë politike që është për dominim brenda partisë edhe që tani kryetarit aktual i konvenon kjo gjë pasi që në rast se fiton për kryeministër Bedri Hamza, ai llogaritet si sukses i tij”, ka deklaruar ai.