Arbëri

Sopi: Serbia e fitoi në Kosovë atë që e humbi në luftë, falë paaftësisë sonë

Agim Sopi

Panelisti i emisionit Konfront, Agim Sopi, ka thënë se Serbia e ka fituar në Kosovë atë që e ka humbur në luftë.

Sipas tij, Serbia e ka bërë këtë me mençuri dhe falë paaftësisë së klasës politike në vend.

“Pas vendimit të GJND-së, problemet Serbi-Kosovë kanë qenë të mbyllura. Kosova më nuk është dashur të flasë për njohje, as për probleme të shtetit me Serbinë, as me askënd në botë. Është dashur ta konsolidojë shtetin e vet dhe t’i kryejë vetë detyrat e shtëpisë. Nëse Asociacioni ka qenë në aneksin e Ahtisarit si obligim, është dashur ta përfundojë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo do të kishte përfunduar shumë kohë më parë.

Sopi ka shtuar se problem do të ishte për Serbinë të kishte apetite për marrje të territorit të Kosovës.

VIDEO:


Spahiu: Serbia po reziston, po e pret ndryshimin e rendit global

Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se Serbia po pret një ndryshim të rendit global, rënien e civilizimit perëndimor, që të bëhet fuqi në Evropë. 

“Sa e vërejë në Serbi diskutohet në opinion publik, por edhe në biseda më diskrete intelektuale e të tjera, ata presin të rezistojnë, të qëndrojnë derisa civilizimi perëndimor të bjerë, të fitojë Kina, Rusia e India. Me një fjalë të ndryshohet rendi global dhe pastaj Serbia të jetë eksponenti kryesore i këtyre fuqive për Evropë e në një mënyrë ta dominojë Evropën”, tha Spahiu në “Konfront” të KTV-së. “Ata thonë se nëse rezistojnë derisa të bjerë Perëndimi, atëherë do ta dominojnë Evropën”.


Koci: Gjermania mori përsipër ta tërheqë Serbinë nga sfera ruse, por dështoi

Melazim Koci, njohës i zhvillimeve politike, ka thënë se ka lëvizje për ndryshim të qëndrimit të Perëndimit ndaj Serbisë.

Ai në Konfront të KTV-së ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë tërhequr nga kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, ka qenë Franca e cila para daljes së marrëveshjes franko-gjermane ka kërkuar kompromis që të hiqet kërkesa për njohje.

Ka shtuar se Gjermania ka dështuar ta tërheqë Serbinë nga sfera ruse dhe ta kthejë nga Perëndimi.

“Për shkak të solidaritetit ndëratlantik amerikanët janë tërhequr dhe ka mbetur njohja defakto. Në vitin 2014 pas zgjedhjes së Vuçiqit kryeministër, është arritur konsensus në Perëndim, që Gjermania të jetë ajo që të tentojë ta tërheë Serbinë nga sfera e ndikimit rus dhe ta nxjerr në Perëndim. Gjermania ka bërë atë përpjekje, ka hapur 100 mijë vende pune në Serbi, ka investuar miliarda dollarë, por rezultati është zero. Bashkimit Evropian i është dhënë mandati që ta marrin aspektin politik dhe ekonomik, ndërkaq aspekti i sigurisë i ka mbetur SHBA-së dhe Britanisë së Madhe”, ka thënë ai.


Koci: Futja e Vulinit në Qeveri, mesazh i Serbisë  se ‘këtu vendos Rusia’

Njohësi i zhvillimeve politike, Melazim Koci, ka deklaruar propozimi për Aleksandar Vulinin si pjesë të kabinetit të qeverisë serbe “ishte provokim i Moskës”.

Ai ka deklaruar të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se Serbia e Moska i provokuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke propozuar të sanksionuarin e SHBA-së.

“Ky është mesazh që është se ‘Rusia vendos këtu, ju s’mund të bëni ndikimin që dëshironi’. Kandidati për ekzekutiv foli edhe për afrimin vëllazëror me Rusinë, foli për partneritetin strategjik me Kinën, e raportet me SHBA-në i përmblodhi në një fjali se ‘duam marrëdhënie të mira’”, ka thënë Koci.

Sipas tij, Serbia tha se do orientim pro Bashkimit Evropian, por që siç ka thënë politologu Koci, dha mesazhin se ‘s’do të lejojmë të poshtërohemi me Kosovën”.