Ai ka deklaruar të enjten se të gjitha partitë duhet të mblidhen për të formuar një qeveri emergjente.
“Opozita i ka ndezur motorët, bashkë me pozitën. Po bëhen gati për zgjedhje të reja, e nuk e di kujt i shërbejnë. I shërbejnë vetëm Serbisë. Ne jemi buzë luftës e duam të dërgojmë vendin në zgjedhje. Në situata të tilla, njerëzit e vetëdijshëm, nëse s'kanë supe të fuqishme, do të duhej të bisedohej me opozitën. Të formohej një koalicion e edhe një këshill suprem nacional i Kosovës i përfaqësues nga spektri politik, nga shoqëria civile e Akademia. Të krijohet një qeveri emergjente që do të bisedonte me SHBA-në e BE-në për të zgjidhur këtë problem një herë e mirë”, ka thënë Sopi.
Demaku: Ka vite që Lista Serbe bën fushatë viktimizuese

Panelistja e “Konfrontit” në KTV, Dafina Demaku, ka deklaruar se Lista Serbe është ankuar vazhdimisht e ka zhvilluar fushatë viktimizuese.
Ajo ka thënë se për partine serbe, çdo veturë e Policisë së Kosovës në veri është konsideruar si kërcënim
"Një fushatë viktimizuese të Listës Serbe e kemi parë prej vitesh, sidomos në vitet e fundit. Është bërë vonë që të demantojmë këtë, jo vetëm me artikuj në gazeta, por ta demantojmë me mekanizma shtetërorë”, ka deklaruar Demaku.
Sipas saj, Lista Serbe ka pasur rol në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Gjinovci për opozitën e pushtetin: Ata janë hajna, këta janë patriotë
Panelisti në “Konfront”, Rron Gjinovci, e ka akuzuar ish-pushtetin për hajni, derisa ka thënë se pushteti i tanishëm me në krye Albin Kurtin janë patriotë.
Derisa ka debatuar me panelisten tjetër, Dafina Demaku, e cila ka thënë se janë të gjithë të njëjtë, Gjinovci e ka kundërshtuar duke thënë se ish-pushtetarët janë bashkëpunëtorë të Serbisë, ndërsa pozita e tanishme janë në mbrojtje të vendit.
“Prokuroria është e kapur prej ish-pushtetarëve, pse këta prokurorët që i ka emëruar Hashimi (v.j. Thaçi) si president, nuk po i ndjekin tani ministrat e Albinit (v.j. Kurti). Jemi duke folur se si një person mundohet ta rehabilitojë regjimin e vjetër, duke thënë se të gjithë janë të njëjtë. Nuk janë të gjithë të njëjtë, ata janë hajna, këta nuk janë. Ata ishin bashkëpunëtorë të Serbisë, këta janë patriotë që po e mbrojnë Kosovën prej Serbisë”, ka thënë ai.
Gjinovci: Opozita ka frikë nga video-incizimet e vilës së Radoiçiqit
Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Rron Gjinovci, ka deklaruar se opozita e Kosovës është e frikësuar nga konfiskimi i kamerave të sigurisë në shtëpitë e Milan Radoiçiqit.
Sipas tij, aty mund të kenë shkuar zyrtarë të partive opozitare dhe mund ketë videoincizime.
“Opozita e ka një frikë tjetër. Janë kamerat në shtëpitë e Milan Radoiçiqit që janë konfiskuar. Janë videoincizime me orë të tëra. Kush prej opozitës ka qenë aty, çka kanë bërë, a kanë pirë, kërcyer apo kanë ndenjur. Jam kuroiz të di kush prej opozitës ka qenë atje”, ka deklaruar Gjinovci të enjten.
Ai ka përmendur edhe takimet e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj me Radoiçiqin, që kishte prirë në sulmin e Banjskës.
Spahiu: Serbia po bën përpjekje për të rikrijuar struktura të dhunshme në Kosovë
Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se Serbia po bën përpjekje për të rikrijuar struktura të reja të dhunshme në Kosovë.
Të enjten, mbi debatin për paralajmërimin për përshkallëzim të Listës Serbe pas konfiskimit të pasurisë së Milan Radoiçiqit, Spahiu ka thënë se strukturat që janë identifikuar nga autoritetet kosovare, Serbia nuk mund t’i fusë më në përdorim.
“Shpeshherë kur po flasim për shkatërrimin e strukturave paralele, sidomos strukturave të dhunshme paralele, po harrojmë që Serbia është në përpjekje e sipër për të rikrijuar strukturat e tjera, ato struktura që tashmë janë identifikuar nuk mund t’i fusë më në përdorim sepse janë identifikuar, Policia e Kosovës tashmë i ka me emra, mbiemra, fotografi se kush janë. Djegia e vetës së policit serb, më pas djegia e shtëpisë verore të Nenad Radosavleviqit, (v.j. drejtor i Drejtorisë për Sport, Rini dhe Kulturë), të gjitha këto tregojnë se nuk është që Serbia është pajtuar me zhbërjen e këtyre strukturave paralele, por tenton t’i rikrijojë të tjera”, ka thënë ai.