Opinionisti Agim Sopi ka thënë se në Kosovë ka njerëz në politikë që vendin e shohin si shtet të përkohshëm.
Ai ka shtuar se kjo logjikë më pas transmetohet te popullsia e institucionet.
“Telashja te ne është klasa jonë politike, jo shumica por ka shumë njerëz që Kosovën e shohin shtet të përkohshëm, nuk e konsiderojnë shtet fare. Këtu ka pastaj, logjika fishohet në popullatë, në institucione. Në sport nuk ekziston atdhedashuria, nuk ekziston vetësakrifikimi, nuk ekziston ajo logjikë me luftu deri në atomin e fundit për shtetin tënd me përgjegjësinë më të madhe. Kjo na mungon, kjo e stagnon shtetin”.
Gjinovci: Më shumë ka çuar Kosova luftëtarë në ISIS, sesa Shqipëria në Kosovë
Analisti i emisionit Konfront, Rron Gjinovci, insiston se Shqipëria nuk ka bërë asgjë për Kosovën.
Duke folur për sportin dhe tifozët, Gjinovci ka thënë se Shqipëria historikisht nuk ka bërë asgjë e as nuk e ka mbrojtur Kosovën.
"Pse Shqipëria nuk ka bërë luftë për të marrë territoret e veta? Pse nuk ka luftuar, as tash e as atëherë kur ishte e fortë? Në kohën e Enverit ishte e fortë, kishte edhe MIG-a, por as nuk e nisi luftën, qoftë edhe për ta humbur. Edhe diçka, më shumë ka çuar Kosova luftëtarë në ISIS sesa Shqipëria në Kosovë. Fatkeqësisht", ka thënë Gjinovci.
"Ti katundar, ti xhuxh" - si do të trajtoheshin Shaqiri e Behrami në Kosovë, sipas Sadikut
Skender Sadiku, tifoz i kombëtares së Kroacisë e që mban pozitën e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, ka thënë se lojtarët me origjinë shqiptare nuk do ta ngriteshin në Kosovë ashtu siç janë ngritur në shtetet e huaja ku ata jetojnë.
Ai ka përmendur Xherdan Shaqirin e Valon Behramin, të dy futbollistë shqiptarë që janë ngritur në karrierë në Zvicër.
“Sikur të jetonte Valon Behrami dhe Xherdan Shaqiri në Kosovë nuk kishin mundur të luajnë as në Prishtinë, a din pse. Sepse i kishin thënë ‘ti je katunar’ Behramit, e ‘xhuxh’ Shaqirit. A Zvicra ka mbërri në kampionate botërore prej yjeve të mëdhenj”, ka thënë ai.
Gjinovci: Afrimi i kosovarëve te Shqipëria, falë ideologjisë së mbrapsht nacionaliste
Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Rron Gjinovci e ka konsideruar ideologji të mbrapsht nacionaliste afrimin e kosovarëve te kombëtarja e Shqipërisë.
Gjinovci ka thënë se kjo ideologji është anti-kosovare në thelb.
“Kjo ideologjia e mbrapsht nacionaliste e ka krijuar një atmosferë të tillë që e mbështet edhe ai kryeministri atje që merr pare prej Kosovës. Këta me këtë ideologjinë e mbrapsht nacionaliste të Shqipërisë dhe që është komplet e pabazuar dhe është komplet anti-kosovare në thelb, e ka krijuar këtë atmosferë sepse ata lojtarë shumica janë që jetojnë jashtë. Kjo ideologji ka bërë që njerëzit që janë me origjinë nga Kosova të vendosin mos të luajnë për Kosovën, por për Shqipërinë”, është shprehur Gjinovci.
Ajeti: Tifozët shqiptarë kanë qenë shembull më 2016 dhe tash
Tifozi i kombëtares së Shqipërisë, Leutrim Ajeti, ka deklaruar se tifozët shqiptarë kanë qenë shembull për të mirë që nga 2016-ta e tutje, duke thënë se kombëtarja shqiptare nuk lidhet me asnjë politikan
Ai ka deklaruar të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se kombëtarja e Shqipërisë duhet të identifikohet si “kombëtare gjithëshqiptare”.
“Zakonisht tifozët shqiptarë kanë treguar shembull edhe në 2016-n edhe tash. Edhe në lojën me Italinë s’ka pasur asgjë provokative e as përleshje. Kjo ka qenë e bukura e kësaj. Edhe për të mos dashur të kalojë në politikë, kjo përfaqësuese shumica nuk pajtohet me Edi Ramën. Këtë kombëtare nuk duhet ta identifikojmë as me Edi Ramën e as me asnjë politikan, kjo kombëtare është gjithëshqiptare”, është shprehur Ajeti.
Gjinovci: Shqipëria nuk ka asgjë të sajën, as kombëtaren nuk ka mundur ta bënte të veten
Opinionisti Rron Gjinovci ka thënë se kosovarët kanë bërë gjithnjë më shumë për Shqipërinë sesa anasjelltas, e kjo, sipas tij, ka bërë edhe që Kosova të mos kualifikohej për Euro 2024.
Gjinovci ka thënë se Shqipëria nuk ka pothuaj asgjë origjinale e së në shumicën e fushave merr prej të tjerëve. Në emisionin “Konfront” ka kritikuar se Shqipëria nuk ka arritur ta formojë as kombëtaren e vet të futbollit, pa përfshirë lojtarët nga të gjitha trevat shqiptare.
“Kjo është ideologjia që s’e ka bë Kosovën që të mos kualifikohet: Shqipëria nuk ka gati kurrgjë origjinale të veten, në asnjë dimension. Ekonominë e ka të bazuar në turizëm që dominohet prej kosovarëve, Shqipëria nuk prodhon asgjë. Kulturën mundohet ta marrë prej pjesëve tjera për të cilat nuk ka kontribuuar kurrë asgjë, prej kur e ka shpallë pavarësinë asnjëherë nuk ka qenë në gjendje asnjë luftë ta nisë për t’i marrë pjesët e tjera që thotë se i takojnë, a me përfitu prej tyre është e para. Për shembull, mundohet ta përvetësojë Dua Lipën që është një kosovare. Krejt estradën e ka me njerëz të Kosovës, futbollin e kishte një lojtar nga Kumanova, një nga Tetova, nja 5-6 nga Kosova. Shqipëria as ekipin e vet nuk ka mundur ta bëjë të vetin”, ka thënë ai.
E, sipas Gjinovcit, edhe tifozëria mbështetet në atë të kosovarëve.
“Tifozëria është shumica kosovarë, ata nuk dinë as me bërtitë. I kanë pasë ato thirrje ‘le të shutojë më i miri’, ata edhe me shajtë janë mësuar prej kosovarëve”.
Ai kritikon se edhe për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, kosovarët ishin ata që më së shumti luftuan.
“Për Shqipërinë edhe ashtu qysh është shpallur e pavarur, kanë luftuar më së shumti kosovarët”.