Gazetari Shkelzen Dakaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti e sheh diasporën vetëm si votë.
Ai ka shtuar se si pushtetet e tjera, edhe ky aktuali e kanë shfrytëzuar diasporën vetëm kur ka qenë interesi për votën e saj.
“Sot Albin Kurti sikur të gjitha pushtetet e kaluara është duke e shfrytëzuar, keqpërdorur diasporën etëm për vota. Katër vjet të Albin Kurtit asgjë konkrete për mërgimtarët tanë nuk e ka pasur, përveç tash që iu kujtu të shkojë të bëjë tubime atje”, ka thënë ai në “Zgjedhjet në KOHË”.
Dakaj është shprehur se asnjë pushtet nuk i ka ofruar diasporës asnjëherë kushte për të qenë pjesë aktive në politikën kosovare.
“Diaspora jo vetëm prej politikës por edhe prej njerëzve të estradës është keqpërdorur sepse mallin dhe dashninë për atdheun kanë qenë në gjendje të sakrifikojnë gjithçka. Për një periudhë pushtet e caktuara kanë heqë dorë, i kanë mbyllë zyrat e tyre nëpër diasporë, edhe shteti i Kosovës nuk u ka ofruar një platformë si me thënë ‘do t’i keni 2-3 deputetë që do t’i përfaqësojë interesat’. Kuvendit iu ka dashtë me parë 2-3 vajza e djem të rinj”.
Agim Sopi: Klasa jonë politike bëri atë që deshi Qubrilloviqi e Millosheviqi, shpërnguli rreth 500 mijë njerëz
Analisti politik, Agim Sopi, ka thënë se klasa politike e pasluftës në Kosovë, Qeveria Thaçi, Mustafa dhe Kurti, kanë arritur qëllimin e Vaso Qubrilloviqit e Slobodan Millosheviqit, t’i bëjnë shqiptarët që të shpërngulen nga vendi.
Sipas tij, gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, janë shpërngulur rreth 600 mijë shqiptarë nga Kosova, por nuk ka kaluar më shumë se 15 vjet kohë që pushtetarët në Kosovë, t’i bëjnë edhe 500 mijë të tjerë ta lënë vendin.
“Fatkeqësisht populli shqiptar, të paktën i Kosovës dhe i vendeve të ngelura jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, ka kaluar me një kalvar 150 vjetët e fundit dhe ai kalvar mund të quhet 150 vjet, ka ndodhur një spastrim sistematik etnik nga koha e Qubrilloviqit e koha e Titos, Rankoviqit deri te koha e Millosheviqit, ku shteti i ish-Jugosllavisë dhe Serbisë me dhunë sistematike policore ushtarake, me vrasje masive madje, ka arritur t’i shpërngulë 600 mijë shqiptarë nga Kosova. Ndërsa, periudha e dytë, tri qeveritë e famshme, Qeveria Thaçi, Mustafa dhe Kurti, kanë arritur t’i shpërngulin edhe 500 mijë të tjerë. Përafërsisht për 15 vjet në Kosovën e lirë, klasa politike e Kosovës ka arritur ta mbërrijë përafërsisht qëllimin e Qubrilloviqit dhe Millosheviqit. Thaçi e Mustafa i kanë shpërngulur rreth 300 mijë, ndërsa Kurti rreth 200 mijë. Ky është turpi i madh historik që do të rëndojë përjetësisht mbi këta njerëz”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se klasa politike e sheh mërgatën si injorantë ideologjikë që mund të përdoren vetëm si vota kur të nevojitet.
“Mërgata jonë, sidomos pjesa e ikur në Evropë, fillimisht mërgatë e kombinuar politiko-ekonomike që kanë shkuar punëtorë krahu për të mbijetuar, më pas një valë e madhe e mërgatës politike që janë detyruar nga dhuna e pushtuesit të ikin, të shpëtojnë kokën dhe pas luftës është mërgatë që ka ikur jo për të mbijetuar, për të gjetur jetë më të mirë, por për të gjetur atdhe më të mirë. Mund të quhet mërgatë e dëshpërimit sepse, pavarësisht që z.Kurti i quan analfabetë funksionalë, ose dikush tjetër i quan injorantë, megjithatë ata janë njerëz shumë të shquar, kanë bërë shkolla në ato vende, gjenerata e tretë e tyre madje ka zënë pozita të jashtëzakonshme, kanë hapur biznese shumë të suksesshme”, ka thënë ai.
Sopi: Diaspora e meriton të ketë ulëse në Kuvend
Juristi Sadri Sopi, i cili jeton dhe vepron në Holandë, ka thënë se diaspora e meriton të ketë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka shtuar se partitë politike e kanë lënë anash diasporën, pavarësisht kontributit që ka dhënë.
“Ka një dëshpërim shumë të madh ndaj politikës këtu, qasjes ndaj diasporës, se është lënë anash merita e diasporës që ka pasur në mbijetesën e Kosovës, edhe në luftë edhe pas luftës. Mbijetesa e Kosovës për 80% është falë diasporës. E, kur erdhi puna pas luftës meritat i morën disa të tjerë e diaspora u la anash. Është dashur të ketë disa persona të diasporës që përfaqësojnë në Kuvend... Ku është kontributi i diasporës, janë me qindra-mijëra, askund hiç. As në Kuvend, as në politikë, as askund. Diaspora për shumë parti ka qenë vetëm e nevojshme ta japë votën dhe të qëndrojë anash”, është shprehur Sopi.