Arbëri

Sociologët thonë se Kosovës nuk i bëjnë mirë solidarizimet për çështjen izraelito-palestineze

Ndarja e shoqërisë kosovare në dy grupe sa i përket solidarizimit karshi luftimeve izraelito-palestineze po vlerësohet i dëmshëm nga sociologët. Kurse njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kërkojnë që të kihet kujdes, sidomos në aspektin politik, për shkak të interesave strategjike të Kosovës, të cilat, sipas tyre, lidhen me botën perëndimore dhe jo Lindjen e Mesme.

Dy marshe solidarizuese që lidhen me luftimet në Lindjen e Mesme janë mbajtur të premten në Kosovë.

I pari është organizuar në Prizren si mbështetje ndaj popullit palestinez, kurse i dyti në Prishtinë në përkrahje të popullit hebraik.

Solidarizimi me kauza të ndryshme përmes marsheve është i mirëseardhur për sociologët. Mirëpo ky rast, sipas sociologut Besim Gallopeni nuk është në dobi të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

“Këto marshe, aq më tepër të ndara në dysh ku njëra palë apo një kategori e shoqërisë apo grupe të caktuara të shoqërisë mbështesin Palestinën ndërsa pjesa tjetër Izraelin, personalisht shikuar në rrafshin sociologjik i bëjmë dëm Kosovës dhe ne nuk do të duhej të lëshohemi në nivele të tilla, as si shoqëri e aq më pak si klasë politike”, ka thënë Gallopeni.

Të dëmshme, Gallopeni e quan edhe pjesëmarrjen e disa politikanëve në marshet e ditëve të kaluara, pasi thotë se Kosova ka nevojë për sa më shumë mbështetje ndërkombëtare.

Kurse profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se shprehja e mendimit është e drejtë e secilit.

Megjithatë, skena politike, sipas tij, duhet të tregohet e matur për shkak të interesave shtetërore.

“Në aspektin politik duhet të kihet kujdes, këtu nuk guxojmë të veprojmë sikur fansa, këtu duhet të jemi më racional dhe më të ftohtë në kalkulime dhe në interesa tona strategjike. Pra unë sa e di Kosova deri më tash, në të kaluarën dhe të tashmen, besoj duhet edhe në të ardhmen që politikën e vet zyrtare ta orientojë nga Perëndimi dhe jo nga Lindja”, është shprehur Arifi.

Armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hamasit është arritur në ditën e njëmbëdhjetë të luftimeve, nga të cilat vdiqën mbi 240 njerëz, kryesisht palestinezë.