Arbëri

Snajperisti kosovar

Foto: Alban Bujari / KD

Në bisedat e rastësishme me mërgimtarët shqiptarë që po qëndronin në banesën e gjyshërve të tij, do të zinte fill lidhja e pastajme me Kosovën. Ishte viti 1997. Michael Spath kishte tre vjet që ishte kthyer në Gjermani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I biri i nënës gjermane dhe babait amerikan, Spath e kishte zhveshur tre vjet më herët uniformën e Ushtrisë amerikane, pjesë e së cilës ishte prej vitit 1980. Kishte kryer misione në tetë shtete të ndryshme anembanë botës. Në Koshare do të plagosej shumë rëndë, por ende pa rimarrë veten do të ngrihej nga spitalet shqiptare e do të merrte udhë drejt kufirit me Kosovën.

Në tri ditë të ndryshme me luftime gjatë periudhës prill-maj, Spath do të plagosej në fytyrë, kokë, gojë, krah e këmbë, thuhet në raportin e nënshkruar nga ish-eprori Hysen Berisha. Prej luftës së Kosovës, Spath kujdeset të grijë ushqimet për shkak të problemeve me nofulla pas ndërhyrjeve kirurgjike. I shpreh keqardhje pronarit të lokalit pse nuk mund ta hajë suxhukun, shërbyer prej shtëpisë “veç pse ke ardhë me luftu për Kosovën”.

“Kurrë nuk do ta harrojmë këtë. Gjithë jetën do të jemi mirënjohës”, i thotë burri me mustaqe. “E sheh, këtu ndihem si në shtëpi. Kosova është shtëpia ime. Ndihem rehat këtu”, thekson Spath para se të çojë një gllënjkë birre.

Flet anglisht e herë pas here shqip, si në rastin kur me humor përshkruan situatat kur do të luftonte në luftë e shtrat me vdekjen. Kosovës i referohet gjithnjë gjermançe me s-në të theksuar si z. Snajperisti i regjur, sukseset individuale i përgjithëson si meritë ekipore.

“Natyrisht se në luftë nuk i besohet askujt, por unë kisha ekipin më të mirë. Kisha djem të rinj pa përvojë, por që kishin zemër të madhe. Luftonin me zemër. Dhe prandaj ia kemi dalë”, thotë me ngulm Spath, teksa mbledh grushtin dhe rrah tavolinën. “Është kaq e thjeshtë”, është shprehja me të cilën përmbyll vlerësimet a përshkrimet e rrethanave të pazakonshme në luftë.

Por, nuk e konsideron punë të kryer marrjen e patentës për gjuajtje nga autoritetet e Kosovës, edhe pse i ka kaluar testet. “Ende nuk e kam marrë dokumentin”, thekson ai. Ngjashëm po pret edhe për letërnjoftimin. Në dorë mban certifikatën e shtetësisë.

Medalje meritash

Por, si u bë që Spath të vinte vullnetarisht të luftonte në Kosovë?

Si i biri i një ushtaraku amerikan, Spath do të interesohej për zhvillimet që rroknin vëmendjen e botës mbarë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Jugosllavia kishte marrë teposhtën. Kroacia e Sllovenia ishin ndarë prej krijesës që ishte mbajtur në këmbë nga ish-diktatori Josip Broz Tito. Po shembej sherri i përpjekjes së dhunshme serbe për ta marrë timonin e saj. Sllovenia e Kroacia ishin ndarë e Bosnja ishte në luftë kur Spath do të takohej me shqiptarë derisa po punonte me shqiptarë në sektorin e ndërtimtarisë në ekonominë më të fuqishme evropiane.

Rrëfimi për specialistin gjerman të Ushtrisë amerikane, i cili do të rreshtohej vullnetarisht në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

“Dhe ata më treguan për situatën në Kosovë”, thekson Spath, në njërën prej kafeneve të Prishtinës midis kampusit universitar. Dhe bashkë me ta do të niste të frekuentonte klubet e shqiptarëve, që në fakt ishin kthyer në bërthamë të aktivizimit, së pari për lëvizjen paqësore e pastaj edhe për atë të armatosur. Me shpërthimin e luftës marsin e vitit 1998, Spath po u tregonte shqiptarëve për përvojat të misioneve ushtarake prej Panamasë e Kolumbisë deri në Kore. Në pranverën e vitit 1999 do të lajmërohej vullnetarisht që të rreshtohej në radhët e UÇKsë. Tani shtetas i Kosovës, Spath do të dekorohej pasluftës nga komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj. Dekorohej për “Shërbimin e tij për çlirimin e Kosovës”.

“Ushtari Michael Spath ka kryer shërbimin e tij mbi baza të rregullta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Brigadën 138 ‘Agim Ramadani’ në rajonin operativ të ‘Rrafshit të Dukagjinit’”, thuhet në arsyetimin e nënshkruar nga Haradinaj më 20 korrik të vitit 1999.

Gjithçka ka të dokumentuar në dosjen voluminoze me dhjetëra letra. Me dekorata është nderuar gjatë dekadave edhe nga institucionet ushtarake e civile amerikane. Më 1986, Departamenti amerikan i Ushtrisë ia ndau Medaljen e Ushtrisë për Arritje për “dedikim dhe sjellje të përkushtuar ndaj ekipit”. Aty thuhet se gjatë krejt misionit Spath kishte treguar shkathtësitë e një “ushtari specialist”.

“Shqipëria do të më dhuronte edhe tank po ta kërkoja”

I specializuar në aspektin akademik e i rryer prej përvojave nga misione të rrezikshme, Spath do të fluturonte drejt Shqipërisë, ku do të detyrohej të merrej edhe me sigurimin e municionit. “Por në Shqipëri po t’u kërkoja edhe tank, edhe tankun do të ma dhuronin”, thekson me qeshje Spath, i cili çdo rrethanë kritike mundohet ta shoqërojë edhe me situata humori. Këtë madje e ka si njëfarë filozofie jete. Burri trupmadh lëkundet nga karrigia herë pas here kur e ngacmon një kollitje e fortë.

Një “Vërtetim” të Hysen Berishës e Rrustem Berishës, ministër në detyrë i Ministrisë së Mbrojtjes, përshkruhet ndër të tjera se si Spath ishte kthyer në front ende pa u shëruar për t’i instruktuar snajperistët e rinj, ku do të plagosej përsëri nga artileria serbe. Aty thuhet njashtu se Spath kishte dhënë kontribut të madh në çminimin e vendbanimeve.

“Kemi vepruar në një zonë prej dyzet kilometrash katrorë”, thekson Spath, zonën që niste prej brezit kufitar deri në thellësi të Kosovës perëndimore. Serbia e Slobodan Milosheviqit kishte trashëguar armatimin e Jugosllavisë së shkapërderdhur. Spath thotë se forcat serbe kishin edhe ekspertizën ushtarake dhe ndihmën kineze e ruse. Por, ngulmon ai, pos që nuk e njihnin terrenin, “nuk e kishin edhe zemrën e luftëtarëve të UÇK-së. Është kaq e thjeshtë”.

“Ata ishin përnjëmend të organizuar mirë”, thekson Spath. “Serbët kishin përparësinë e ajrit, por kur erdhi NATO-ja ky ishte avantazhi ynë më i madh”.

Megjithatë në tokë sfida të shumta ishin për Spathin dhe bashkëluftëtarët. “Nuk ka qenë e lehtë të qëndronin 24 orë në lumë”, thotë ai, duke folur për betejat e dëshmorëve Agim Ramadani, Salih Çekaj dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë. “Plus, që në shpinë kishim dhjetëra kilogramë municione”.

Në mediat serbe ka goxha shumë shkrime për Spathin, duke e përshkruar si “mercenar”. Spath nuk preferon të flasë shumë për këtë pjesë. “Kush mërzitet për to”, thotë ai. Kishte parë “çetnikë dhe pjesëtarë të Arkanit, të droguar që vdisnin duke qeshur, sepse ishin droguar”.

Spath është kthyer në Kosovë që të përfundojë procedurat e nevojshme për t’u pajisur me dokumentet e reja personale. Beson se mund ta ndihmojë Kosovën në procesin e ndërtimeve të kapaciteteve të reja të sigurisë. Dhe beson fort të jetë pjesë e finalizimit të ëndrrave për të cilat luftoi dhe i ranë bashkëluftëtarët njëzet vjet më parë.

“E shihni, është e mrekullueshme çfarë është arritur. E shihni çfarë po ndodh në Siri për vite me radhë e çfarë po ndodh në Afganistan edhe tetëmbëdhjetë vjet pas ndërhyrjes”, thotë Spath. “Dhe isha e jam shumë i kënaqur, sepse u luftua me zemër”.