Asnjë nga komentet dhe kërkesat e adresuara nga shoqata “Handikos” rreth lirimit të personave në karrocë nga tatimet doganore nuk janë përfillur nga Ministria e Financave gjatë kohës kur Kodi Doganor dhe ai i Akcizave kanë qenë në fazën e hartimit. Në “Handikos” janë ankuar se për automjete personale, personat paraplegjikë e tetraplegjikë ngarkohen me pagesa, ani se këtë nuk e parasheh Ligji për këtë kategori të qytetarëve. Në Ministri të Financave nuk kanë ofruar sqarime lidhur me çështjen
Gjashtë komente me shkrim i janë adresuar Ministrisë së Financave nga shoqata “Handikos” në vitin 2022, në kohën kur Kodi Doganor dhe i Akcizave ka qenë në konsultim publik.
Njëra prej kërkesave të shtruara në këto komente ka qenë lirimi i personave me aftësi të kufizuara, prindërve apo kujdestarëve ligjorë të tyre nga tatimi doganor, akciza dhe tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) gjatë importit të automjetit të destinuar për përdorimin e tyre.
Por kjo dhe të tjera kërkesa janë në pritje të përgjigjeve nga Ministria e Financave, përderisa personat në karrocë i nënshtrohen pagesës së tatimeve që nga 2023, shkaku i Kodit të ri Doganor dhe të Akcizave.
Afrim Maliqi, drejtor në shoqatën “Handikos” që merret me çështjet e personave me aftësi të kufizuara, e ka kualifikuar koston e tatimit si barrë financiare për personat me aftësi të kufizuara.
“Deri në vitin 2022 kanë qenë të liruar personat me aftësi të kufizuara, të cilët kanë patentë shofer, por duhet të përshtatin automjetin, gjë që deri në vitin 2022 ka ndodhur, kanë qenë të liruar prej TVSH-së, prej Doganës dhe akcizës. Nga vitin 2023 janë të liruar vetëm prej doganës dhe akcizës, ndërsa prej TVSH-së jo. Kjo është një kosto shumë më e madhe sesa dy këto tjerat. Në doganë kanë thanë se nuk ka qenë e shkruar në ligjin e kaluar, edhe tash ka filluar aplikimi i TVSH-së”, ka theksuar Maliqi.
Ai e ka quajtur regres situatën aktuale teksa ka shprehur vërejtjen që as veturat në posedim të shoqatës nuk janë të liruara prej doganës.
“Të ketë të drejtë të zhdoganimit të automjeteve të përshtatura edhe shoqatat për arsye se edhe ne si shoqatë nuk jemi të liruar prej doganës. Sot nëse një donator na sjellë një automjet, ne jemi të obliguar që të paguajmë doganën, akcizën e TVSH-n. Përndryshe duhet t’i themi donatorit ta kthejë automjetin. Ndërsa për mua është paradoksale, kur institucionet janë të liruara prej doganës, bashkësitë fetare, komunat, si ministritë si të gjitha mund të sjellin çfarëdo automjeti apo pajise dhe janë të liruara, ndërsa ne nuk jemi të liruara nga këto të cilat janë mjaft të kushtueshme”, ka thënë ai.
Neni 10 i Ligjit për personat paraplegjikë e tetraplegjikë parasheh që personat që e kanë këtë statusi të lirohen nga tatimi, taksat dhe doganimi për importim, si dhe nga taksat për regjistrim të automjeteve.
“Për lirimin nga tatimi, taksat, doganimi për importim dhe nga taksat për regjistrim të automjetit për nevojat e përfituesve të këtij ligji vlejnë dispozitat sipas legjislacionit në fuqi. Përfituesit e këtij ligji lirohen nga taksat për regjistrim të automjetit personal apo të kujdestarit. Përfituesit e këtij ligji lirohen nga taksat për dokumente personale dhe certifikata të gjendjes civile”, thuhet në nenin 10 të ligjit.
Lidhur me çështjen, KOHA ka provuar që ta marrë një sqarim nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, porse në këtë instancë nuk kanë ofruar përgjigje.