Arbëri

Sllovenja Marta Kos komisionere për zgjerim në vend të Varhelyit

Marta Kos

Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka prezantuar përbërjen e komisionit të ardhshëm në mandatin e saj të dytë. Ajo ka vendosur që ish-diplomatja sllovene, Marta Kos të jetë komisionere për zgjerim duke e pasur në këtë post komisionerin kontraverz nga Hungaria Oliver Veyrhelyi.

Kos është kandidate nga Sllovenia por akoma nuk është konfirmuar nga ky shtet pasi pritet të përmbyllet procedura në Parlamentin e Sllovenisë. Konfirmimi i saj nga Sllovenia është vonuar për shkak se opozita e ka kundërshtuar atë duke e akuzuar madje edhe për bashkëpunim me UDB-në, ish-shërbimin sekret komunist të Jugosllavisë. Ajo i ka hedhur poshtë akuzat e tilla.

Tash Komisioni i propozuar nga Von der Leyen duhet të konfirmohet edhe nga Parlamenti Evropian. Secili komisioner do të kalojë përmes procesit dëgjimor dhe votimit në komisionet përkatëse të Parlamentit Evropian. Kandidatja për komisionere të zgjerimit Kos duhet të kalojë në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian. 

Ursula von der Leyen akoma beson se i tërë procesi do të përmbyllet deri në fund të muajit tetor në mënyrë që Komisioni i ri të marrë mandatin nga një nëntori i këtij viti. Por shumë deputetë të Parlamentit Evropian janë të mendimit se procedura nuk do të përmbyllet para muajit dhjetor. Vonesa të reja mund të ketë nëse Parlamenti Evropian refuzon ndonjërin nga kandidatët.       

Ekipi i ri 

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të martën ka emëruar ekipin e saj, i cili do ta udhëheqë institucionin më të fuqishëm të Bashkimit Evropian për pesë vjet, duke u fokusuar në sfidat e paraqitura nga ndryshimet klimatike, lufta në Ukrainë dhe ngritja e Kinës.

Andrius Kubilius i Lituanisë do të jetë komisioneri i parë i mbrojtjes së BE-së, rol i dizajnuar për ta zhvilluar kapacitetin e prodhimit ushtarak evropian përballë agresionit rus në Ukrainë, në krahun lindor të bllokut. 

Ministrja spanjolle e Energjisë dhe Ambientit, Teresa Ribera do të jetë komisionerja e ardhshme e  antimonopolit, gjithashtu e ngarkuar për “tranzicion të pastër, të drejtë dhe konkurrues”. 

“Ajo do ta udhëheqë punën për t’u siguruar që Evropa do të qëndrojë në rrugën e duhur për qëllimet e përcaktuara në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Dhe që ta dekarbonizojmë dhe industrializojmë ekonominë tonë në të njëjtën kohë”, ka thënë Von der Leyen në një konferencë shtypi. “Ndryshimet klimatike janë gjëja kryesore me të cilën po merremi”. 

Por, krahasuar me mandatin e saj të parë pesëvjeçar, tema e sigurisë, e shkaktuar nga lufta ruse në Ukrainë, por edhe tema e konkurrencës, kanë shumë më tepër ndikim në përbërjen dhe dizajnin e ekipit të saj të ri, sipas von der Leyenit. 

Komisioni Evropian ka fuqinë t’i propozojë ligjet e reja të BE-së, të bllokojë bashkimet ndërmjet kompanive dhe të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë.

Secili nga 27 shtetet anëtare të bllokut do të ketë një ulëse në tavolinën e Komisionit. 

Emrat e tjerë në listën e komisionerëve të BE-së përfshijnë ministrin e Jashtëm francez Stephane Sejourne i ngarkuar për strategjinë industriale, ndërsa Maros Sefcovici i Sllovakisë do t’i mbikëqyrë politikat tregtare dhe Kaja Kallas e Estonisë do të jetë përgjegjëse për politikën e jashtme. Kandidati i Polonisë, Piotr Serafin, u emërua në detyrën e mbikëqyrjes së buxhetit të BE-së.