Përditësuar 13:38 - Qeveria e Kosovës është shprehur e përkushtuar që t’i forcojë marrëdhëniet me Sllovakinë, pavarësisht se ky shtet do ta mbyllë më 31 dhjetor zyrën ndërlidhëse në Kosovë.
Më herët gjatë të mërkurës, Radio Kosova raportoi se Sllovakia ka vendosur ta mbyllë zyrën ndërlidhëse në Kosovë. Ndërkaq, në një përgjigje për KOHËN, MPJ-ja e Kosovës ka thënë se vlerëson që ky vendim është pjesë e riorganizimit të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë.
“Bazuar në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovakisë që deri më 31 dhjetor 2024, ambasadat sllovake në Danimarkë dhe Norvegji, konsullatat e përgjithshme në Krakov dhe Shën Petersburg dhe zyra ndërlidhëse në Kosovë do të mbyllen, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikes së Kosovës, bazuar edhe në sqarimet e këtij njoftimi, vlerëson se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjik dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera. Kosova mbetet e përkushtuar për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet që ka zhvilluar me Sllovakinë qoftë përmes zyrës ndërlidhëse qoftë përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian dhe global”, thuhet në përgjigje.
Sllovakia, një nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, ka vendosur ta mbyllë Zyrën e saj Ndërlidhëse në Kosovë një çerek shekulli pas hapjes së saj. Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për t'i ruajtur e forcuar marrëdhëniet me Sllovakinë.
Qeveria e Sllovakisë do ta mbyllë Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, në një hap që largon përpjekjet për njohje të shtetit të Kosovës.
Mbyllja e Zyrës Ndërlidhëse i është konfirmuar Radio Kosovës nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Evropiane e Republikës së Sllovakisë.
“Sipas vendimit të Qeverisë Sllovake, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Sllovakisë në Prishtinë do të mbyllet deri më 31 dhjetor 2024, për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit buxhetor”, thuhet në përgjigjen e Departamentitë Komunikimit të MPJ-së sllovake.
Vendimi për mbylljen e Zyrës në Prishtinë është marrë muajin e kaluar pasi kabineti i majtë nacionalist i kryeministrit, Robert Fico, po shtyn përpara një agjendë që riformon institucionet dhe politikën e jashtme sllovake.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se vendimi është pjesë e një riorganizimi diplomatik të Sllovakisë.
“Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjike dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera. Por, Kosova mbetet e përkushtuar për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet që ka zhvilluar me Sllovakinë,” thuhet në përgjigjen e MPJ për Radio Kosovën.
Gëzim Visoka, profesor në Departamentin e Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit, në Irlandë, thotë se mbyllja e zyrës nuk është shenjë e mirë për aspiratat Euro-Atlantike të Kosovës.
“Mbyllja e Zyrës Sllovake në Prishtinë nuk do të duhej të paraqiste një lajm shqetësues”, ka thënë Visoka, Radio Kosovës . “Por fakti që Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën dhe ka një politikë të jashtme të përafërt me Serbinë rreth Kosovës, rajonit, dhe luftës në Ukrainë, mbyllja e zyrës është sinjal jo i mirë”.
Visoka ka thënë se mbyllja e zyrës në këtë kohë, mund të lexohet si mosgatishmëri për ta njohur Kosovën.
“Kjo të paktën tregon mosgatishmëri që të ndërtojë marrëdhënie pragmatike diplomatike, siç ka bërë Greqia në dekadën e fundit”, ka thënë ai.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, në një takim të premten me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në Beograd deklaroi se qëndrimi i Sllovakisë për mosnjohje të Kosovës mbetet i pandryshueshëm ngase pavarësia Kosovës, sipas tij, shkel integritetin territorial i Serbisë.
Në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, zyrat ndërlidhëse reflektojnë marrëdhëniet diplomatike të shteteve, ngase sinjalizojnë pabarazi në raportet bilaterale, janë tipare të praktikave para-diplomatike dhe zakonisht vendosen ne rajone e jo kryeqytete dhe janë dy shkallë nën nivelin e ambasadës dhe misioneve të posaçme diplomatike.
Në vitin 1999, kur Kosova u vendos nën administrim të OKB-së, shumë shtete, përfshirë edhe ato që ishin kundër si Rusia, vendosën në Prishtinë zyrat e tyre ndërlidhëse, dhe pas pavarësisë shumica e atyre që njohën Kosovën u shndërruan në ambasada apo misione diplomatike./RTK