Përfaqësues politikë e ata të shoqërisë civile nuk presin që deri të dielën të ketë ndryshim në qëndrimin për bojkotimin nga qytetarët serbë të votimit rreth shkarkimit apo jo të kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës. Ndonëse u bënë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje, ata e kualifikuan si të paevitueshëm dështimin e procesit
Qytetarët serbë nuk pritet që të marrin pjesë në votimin e të dielës për shkarkimin apo jo të kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës.
Tek ka mbetur një ditë deri në mbajtjen e këtij votimi, përfaqësues politikë e ata të shoqërisë civile nuk presin ndryshim të qëndrimit për bojkotim të procesit, të thirrur nga Lista Serbe.
Megjithëkëtë, Skënder Sadiku, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që t’i përgjigjen pozitivisht mundësisë së ofruar, e cila mundëson që zëri i tyre të jetë i dëgjuar.
“Asgjë nuk pres. Do të jetë e diel e rëndomtë. Shpresoj që qytetarët të kenë mundësi të shfrytëzojnë të drejtën e tyre, qoftë kundër ose pro, mirëpo ky qytet ka nevojë për aktivizëm qytetar, ka nevojë për ndryshime. Ka nevojë që ose t’u vazhdohet mandati kryetarëve dhe t’i jepet shenjë që jemi me ta dhe të kenë kujdes që të kryejnë detyrat e tyre në bazë ditore”, thotë Sadiku.
Sipas tij, edhe nëse do të merrnin pjesë në votim, qytetarët serbë do të kishin të pamundur që të arrinin përqindjen prej 50 plus 1 votues, që të procesi të rezultojë i suksesshëm e të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Sikurse të bënte presion edhe më të madh vështirë që do të arrinte, duke ditur faktin që në komunat e Kosovës, atë pasojë e kem edhe në komunën e Mitrovicës, më shumë ka regjistrues votues se sa banor rezidentë”, ka sqaruar ai.
Daljen e qytetarëve në votimin e 21 prillit nuk e pret as Milica Andriq-Rakiq, nga “Nisma e Re Sociale”. Edhe ajo thotë se sigurimi i votave të nevojshme për shkarkimin e kryetarëve do të ishte vështirë i arritshëm edhe pa thirrjen e Listës Serbe për bojkot. Sipas saj, qytetarët serbë nuk i shohin zgjedhjet në veri si zgjidhje për problemet e tyre.
“Për njerëzit këtu zgjedhjet lokale nuk janë diçka që kanë kërkuar, zgjedhjet kanë qenë kërkesë e BE-së dhe SHBA-së, fillimisht në mënyrë që të largohet masat ndaj Kosovës. Njerëzit morën pjesë në peticion, pasi jozyrtarisht Lista Serbe ka organizuar atë. Por në përgjithësi nuk ka pasur entuziazëm apo ndonjë dëshirë të qytetarëve serbë që të iniciojnë peticionin sepse krizat nuk vijnë nga kryetarët por nga vendimet që janë duke u marrë në nivelin qendror”, ka thënë ajo.
Nëse do të dalin që të votojnë më 21 prill hezituan të tregojnë qytetarët në Mitrovicë të Veriut.
Në votimin e së dielës, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut do të kenë mundësi që të vendosin nëse duan që komunat e tyre të drejtohen nga kryetarët aktualë apo jo.