Arbëri

Skepticizëm për rezultate në takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiq

Shprehet skepticizëm për arritjen e rezultateve konkrete në takimin që kryeministri Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, do të mbajnë të mërkurën në Bruksel. Njohës të çështjeve politike thonë se pengesë do të bëhet Serbia me kushtet e saj, por edhe kërkesat që do t’i shtrohen Kosovës për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Takimi midis kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që do të zhvillohet të mërkurën e javës së ardhshme në Bruksel nuk pritet që të sjellë rezultate pozitive në dialog, sipas njohësve të rrethanave politike.

Në Bashkimin Evropian nuk e bënë të ditur agjendën e këtij takim, por në Qeveri thanë se në fokus të tij do të jetë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Por, profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se për përparimin në këtë proces, Serbia do të bëhet pengesë edhe në këtë takim të nivelit të lartë.

“Objekt i bisedës do të duhej të ishte pikërisht marrëveshja e Brukselit në radhë të parë dhe anekset tjera. Nëse mund të bëhet hap pozitiv është mirë, por jam skeptik sepse Serbia nuk është e interesuar për asnjë përparim në dialog me Kosovën. Serbia s’është e interesuar për paqe në Ballkan. Serbia s’është e interesuar për integrim në BE”, ka thënë ai.

E analisti politik, Fidan Ukaj, e ka numëruar një arsye përse edhe Kosova mund të bëhet shkak që palët të mos ecin përpara në takimin e së mërkurës.

“Edhe ky takim do të jetë si takimet e tjera, një dështim i radhës për arsye se zbatimi i marrëveshjeve rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, siç duket, do të jetë po prapë kërkesë e faktorit ndërkombëtar në adresë të Kosovës e që mendoj që është një padrejtësi që i bëhet zbatimit të marrëveshjeve nga plani i sekuencimit”, ka thënë ai.

Ditë më parë, në Qeveri theksuan se zbatimi i marrëveshjeve duhet të bëhet nëpërmjet një plani të sekuencimit të barabartë dhe të drejtë për palët.

Ukaj mendon që nëse BE-ja kërkon zbatim të marrëveshjes bazë, plani i sekuencimit nuk duhet ta ketë si pikë të parë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Mendoj se vetëm riformatimi i atij plani të sekuencimit ose vënia e pikave të tjera si pika të para të zbatimit të marrëveshjes do të ishte vazhdim i procesit dialogues e po ashtu zbatim i marrëveshjeve”, u shpreh Ukaj.

E Baraliu vlerëson se me qasjen jobalancuese mes palëve, BE-ja nuk e zotëron fuqinë për t’i detyruar ta zbatojnë marrëveshjen.

“Nuk ka për shkak të politikave të gabuara dhe qasjes së gabuar që ka, përkëdhelëse, thjesht frymëzuese, përkrahëse ndaj Serbisë dhe nënçmuese deri në sanksione, pra me masa, ndaj Kosovës”, ka thënë Baraliu.

Takimi i fundit midis Kurtit e Vuçiqit është ai i 14 shtatorit të vjetëm, kur diskutuan për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe për planin e zbatimit, për të cilat shprehën paraprakisht pajtueshmëri në Bruksel dhe Ohër.