Arbëri

Skenderi: Taksa e SHBA-së do ta godasë ekonominë e Kosovës

Profesori Nagip Skenderi

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, ka deklaruar se taksa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndaj Kosovës do të ketë efekt negativ në ekonominë kosovare, duke thënë se kjo do të çojë në ngritjen e çmimeve të produkteve bazë.

Ai ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se taksa e SHBA-së është luftë ekonomike se “kush është më i forti qëndron”, teksa shtoi se kjo do të ndikojë rëndë te bizneset dhe më së shumti do të paguajë konsumatori.

“Kjo do të ndikojë te ekonomia jonë, pasi me Bashkimin Evropian kemi partneritetin më të madh. Produktet që importohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në BE e pastaj importohen nga Kosova, kjo do të ndikojë në rritjen e të gjitha produkteve esenciale për konsumatorin, e kjo do të ngrehë inflacionin te ne. Do të ndikojë natyrshëm, prandaj apeloj te institucionet të ruajnë preferencën te produktet e këto tarifa që Kosova i ka ndaj SHBA-së”, ka thënë profesori Skenderi.

Sipas tij, duhet të shmanget një recesion i pritur ekonomik.

“Në konkurrencën globale, konkurrenca do ta ulë më poshtë ekonominë kosovare e kjo do të ndikojë në importin dhe eksportin. Këta që s’mund të përfitojnë nga ekonomitë e tyre, sidomos këto që i kemi me dyshekë e pije, ata do të ndikojnë në rritje të prodhimit brenda vendit. Kjo rritje natyrisht do të zvogëlojë edhe te vendet ekzistuese te punës. Do të ndikojë në bilancin e firmave”, ka thënë tutje ai.

Profesori ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të reagojë edhe për rritjen e çmimit të rrymës, duke thënë se partia në pushtet kishte premtuar ulje të çmimit të rrymës.

“Qeveria duhet të reagojë në mënyrë të prerë për rritjen e çmimeve të rrymës. Kjo qeveri pati premtuar ulje të çmimit të rrymës, e jo ngritje. Inflacioni do të rritet pasi në ekonomi energjia është promotori i zinxhirit tërheqës për shportën e qytetarit”, ka shtuar Skenderi.

Për krizën ekonomike në Kosovë, ai mori shembull që një familje duhet t’i ulë shpenzimet e tjera, në mënyrë që të paguajë faturën mujore të energjisë elektrike.

“Qytetari duhet të mendojë për ato që i ka më esenciale. Në shportën elementare është edhe pushimi. Nëse e sheh që pjesën dërrmuese të pagës duhet ta çojë në rrymë e ushqime, duhet ta sakrifikojë pjesën financiare që e ka për pushime. Nëse ka planifikuar 10 ditë, duhet 6 apo 7 ditë të shkojë në pushime që të vjen te kënaqësia sociale e familjes”, ka deklaruar ai.