Isak Skenderi, drejtor ekzekutiv i organizatës VoRAE, ka deklaruar se është brengosëse që s’ka pasur reagime nga institucionet qendrore për rastin e sulmit me thikë ndaj disa pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në Ferizaj.
Sipas Skenderit, rasti ishte tronditës, duke thënë se sulmi u krye i nxitur nga urrejtja “e bazuar në etni të personave”.
“Për ne dhe për shoqërinë kosovare aktet e tilla s’duhet të jenë të pranueshme. Nuk kanë vend në shoqërinë tonë, duhet të dënohen këto akte dhe të kërkojmë nga drejtësia të trajtohen dhe të dërgohen mesazhe se kjo s’duhet të ndodhë në vend”, ka thënë ai të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Skenderi ka shtuar se ka pritur që të ketë më tepër reagime nga akterët shtetërorë.
“Heshtja ishte brengosëse dhe ne si organizatë s’kemi dalë me reagim sepse s’kemi besuar se një akt i tillë mund të ndodhë. Për një akt të këtij lloji përtej të cilit s’ka më keq, nuk kemi pasur reagime. Kemi vërejtur se ka pasur disa reagime të zyrtarëve si deputetë ose miqve e personave që vazhdimisht kanë treguar një afërsi në aspektet e drejtësisë sociale, por s’kemi parë reagime nga akterë të tjerë”, ka thënë kreu i organizatës VoRAE.
Skenderi ka shtuar se dëshiron që sulmi të shihet si rasti i izoluar, por që s’duhet të relativizohet “pasi dhunën e bëjmë të pranueshme”.
Ai shtoi se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përballen me diskriminim racor dhe antigjipsizëm.