Arbëri

Skandali në Spitalin Onkologjik të Tiranës, mjekët i dërgonin pacientët në klinika private

Spitali Onkologjik, Tiranë

Gjykata e Tiranës të enjten ka lënë në fuqi masat për të dyshuarit për “shpërdorim detyre” në Spitalin Onkologjik, të cilët i dërgonin pacientët në klinika private.

Edmond Gashi, mjek në Spitalin Onkologjik, u la në “arrest shtëpie” pasi dyshohet se i çonte pacientët në klinikën e tij private.

“Arrest shtëpie” pati edhe për Halil Gashin, administrator i një klinike private, ndërsa masë të njëjtë pati edhe për Florian Markun, pronar i një farmacie.

Emiljano Lela, koordinator në Onkologjinë e Tiranës, iu dha masa e “detyrim paraqitje”. Masë të njëjtë pati edhe për mjeken Alketa Ymeri e zv.drejtoreshën e spitalit, Brikena Qirjazi. Për Drilona Kishtën masa nuk u ekzekutua, pasi është jashtë shtetit.

Prokuroria e Tiranës po heton skemën, përmes të cilës mjekë të Spitalit të Onkologjikut dërgonin pacientët për shërim te spitalet private. Ata dyshohen se shisnin edhe ilaçet e spitalit te subjektet private.

Mjekët dyshohet se i gënjenin pacientët, duke u thënë se ka pritje të gjata në spitalin e shtetit dhe i drejtonin në klinika private.

Prokuroria arriti ta zbulonte skemën përmes përgjimeve.