Arbëri

Skandali me kasafortën e Presidencës riaktivizon Prokurorinë

Ndonëse ishte raportuar për pushim hetimesh për rastin e hapjes së kasafortës së Presidencës, burime në Kuvend tregojnë se organi i akuzës është aktivizuar këtë javë. Një prokuror i Prokurorisë Speciale ka kërkuar nga Kuvendi xhirimet e kamerave të sigurisë të vendosura në hapësirat e këtij institucioni, e të cilat çojnë te Presidenca. Krahas kësaj, edhe një komision disiplinor është duke e trajtuar përgjegjësinë që sekretari i Presidencës ka në këtë skandal

Dy procese paralele po zhvillohen pas mësymjes së jashtëligjshme për hapjen e kasafortës së Presidencës, të nesërmen e dorëheqjes së Hashim Thaçit. Njëri proces adreson përgjegjësinë penale e tjetri disiplinore.

Ndonëse ishte raportuar për pushim hetimesh, burime në Kuvend tregojnë se organi i akuzës është aktivizuar këtë javë. Një prokuror i Prokurorisë Speciale ka kërkuar nga Kuvendi xhirimet e kamerave të sigurisë të vendosura në hapësirat e këtij institucioni, e të cilat çojnë te Presidenca.

Në Kuvend nuk kanë folur për këtë.

Ky institucion ia ka mohuar paraprakisht KOHËS qasjen në të njëjtat xhirime, e të cilat janë kërkuar më 20 janar nëpërmjet një kërkese për qasje në dokumente publike.

“Nga data 17 dhjetor 2020, të gjitha kamerat për vëzhgimin e ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë kaluar në përgjegjësi dhe menaxhim të Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Pas kësaj, kërkesa është adresuar në Polici.

Por, në këtë institucion e kanë mohuar se një e drejtë e këtillë i ka kaluar nga Kuvendi. Edhe në një përgjigje në telefon e edhe përmes një e-maili është theksuar se Kuvendi i menaxhon dhe ka pronësi mbi kamerat, ndërkaq Policia i përdor xhirimet vetëm për qëllim vëzhgimi.

Pas këtyre shpjegimeve të Policisë, kërkesa i është përsëritur Kuvendit, por përgjigja ka munguar.

Juristja e medias, Flutura Kusari, shtron nevojën për transparencë të plotë në këtë rast.

“Skandali që përfshin Presidencën, Kuvendin e Kosovës dhe AKI-në, duhet të hetohet në mënyrë sa më të pavarur, profesionale dhe transparente. Është e rëndësishme që të kemi transparencë për shkak se kemi të bëjmë me kredibilitetin e AKI-së, të Presidencës dhe të Kuvendit dhe ka gjithmonë tentativa nga ana e Prokurorisë që kur të bëhet fjalë për AKI-në që të mos jenë transparentë”, thotë Kusari. “E kuptoj që hetimet duhet të jenë të mbyllura dhe ashtu duhet të jetë, por kurdo që ka hapësirë që të ketë transparencë, publiku duhet sa më shpejt që është e mundur të kuptojë se çfarë ka ndodhur lidhur me kasafortën dhe lidhur me pretendimet e tjera të cilat janë ngritur nga palë të ndryshme”.

Faton Peci, shef i stafit të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, pati thënë se në ditën e dytë pas dorëheqjes së Thaçit, e kishte zënë në flagrancë sekretarin e Presidencës, Driton Gashi, dhe një person tjetër që ia kishin prezantuar si agjent të AKI-së, tek përpiqeshin ta hapnin kasafortën me dokumente të klasifikuara.

Gashi, para se të shkonte në Presidencë, ishte shef i AKI-së. Osmani e ka pezulluar nga puna dhe ka formuar një komision disiplinor kundër tij.

Burime në Presidencë treguan se Komisioni e ka ftuar Gashin në intervistë për të dhënë versionin rreth rastit me kasafortën.

“Në Komision sekretari Gashi pyeti nëse ka të drejtë të marrë avokat. Anëtarët thanë po”, thotë ky burim. “Prandaj nuk u përgjigj dhe u vendos që në fund të javës ai të vijë sërish dhe, në shoqërinë e avokatit, t’u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të Komisionit”.

Pas skandalit me kasafortën, është liruar nga detyra edhe shefi i AKI-së, Kreshnik Gashi. I riu akoma nuk është emëruar, shkaku i mospajtimeve për emrin nga presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në largim, Avdullah Hoti.