Arbëri

Skadimi i kontratës, klubet sportive shfrytëzojnë sallat e Pallatit të Rinisë pa kompensim

Pallati i Rinisë përmes një njoftimi zyrtar gjatë javës së kaluar u dha ultimatum klubeve sportive për shfrytëzimin e mëtutjeshëm të sallave, pa u nënshkruar ndonjë kontratë.

Përmes këtij emaili, kryeshefja e kësaj ndërmarrjeje, Mrika Gashi, tha se sallat e pallatit po shfrytëzohen pa ndonjë kompensim që nga janari i këtij viti, në pritje të një marrëveshjeje të klubeve sportive me Komunën e Prishtinës.

Në këtë mënyrë ajo paralajmëroi klubet sportive të Prishtinës se sallat e tyre mund të përdoren deri më 15 maj në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje paraprake.

Gashi nuk është deklaruar rreth kësaj çështjeje, duke thënë se nuk ka ende diçka për të deklaruar pasi janë në diskutim e sipër.

Pas këtij reagimi drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Bardh Krasniqi, ka mbajtur një takim me Gashin dhe klubet sportive, me të cilët kanë arritur një dakordim që këta të fundit të vazhdojnë të shfrytëzojnë këto salla për aktivitete sportive.

Kontrata e cila për këto klube sportive ka filluar në pandemi dhe nuk është vazhduar më, Krasniqi thotë se është në proces e sipër dhe pritet të nënshkruhet shumë shpejt.

Ai ka shtuar se Pallati i Rinisë do të kompensohet për të gjithë muajt që nuk është paguar.

Por përfaqësues të klubeve sportive kanë thënë për KOHËN se vendimi për mosshfrytëzimin e këtyre sallave është shtyrë për një afat të pacaktuar dhe ende nuk ka asgjë të nënshkruar.

Shefi i grupit të asamblistëve të VV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, thotë se kryeqyteti nuk duhet të ndalë subvencionet për klubeve sportive.

Sveçla shton se qeverisja ka dështuar me këtë ndërmarrje komunale, siç ka ndodhur edhe me ndërmarrjet e tjera në kryeqytet.

Marrëveshja e Pallatit të Rinisë me Komunën e Prishtinës për dhënien në shfrytëzim të sallave për klubet e Prishtinës ka skaduar më 1 janar të këtij viti. Nuk dihet ende nëse më tutje do të vazhdohet një marrëveshje e tillë, e cila ishte bërë për të ndihmuar klubet sportive gjatë kohës së pandemisë.