(I përditësuar 15:50) - Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë përfunduar pa ndonjë rezultet takimet në Bruksel për çështjen e dinarit serb.
Kyenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi pas takimit ka thënë se ka nevojë edhe për një takim tjetër javën që vjen. Sipas tij propozimet e palëve janë akoma larg njëra-tjetrës.
“U pa që ka një dallim të madh të propozimeve të të dyja palëve dhe pas disa bisedimeve u dakorduam se ka nevojë edhe për një takim të radhës për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhje apo jo” është shprehur Bislimi.
Ai ka deklaruar se mendon që pala kosovare ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit finalë pa u lënduar në asnjë moment Rregullorja e BQK-së dhe legjislacioni në fuqi.
Bislimi ka theksuar se në takimin e se hënës të dyja palët kishin për detyrë që t’i arsyetonin propozimet e tyre.
“Ne kemi komentuar propozimet e palës tjetër për të parë se në çfarë mase ato janë brenda kornizave për të cilat jemi dakorduar dhe pastaj kemi argumentuar secili për secilin nen të propozimit tonë, por pastaj gjatë bilateraleve është parë që ka ende nevojë për përafrim të qëndrimeve, andaj është dakorduar që të provohet edhe një takim gjatë javës së ardhshme”, ka deklaruar Bislimi.
Ai ka thënë se problemi nuk qëndron te simbolika që Serbia thotë se dinari është simbol i pranisë së Serbisë në Kosovë. “Ne jemi në kërkim të një zgjidhje praktike që nuk ka asgjë simbolikë por e ka qytetarin në fokus kryesor, por unë kisha dashur që të mos dëmtohen negociatat duke nxjerrë detaje nga propozimet e të dyja palëve”, është shprehur Bislimi.
Ai ka thënë se beson që nëse ka vullnet politik nga të dyja palët shumë lehtë mund të gjendet një zgjidhje në takimin e radhës.
E kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar palën kosovare se nuk ka treguar “fare vullnet politik” për të arritur marrëveshje.
Ai ka thënë se me palën kosovare ka pasur diskutim afro tri orë e gjysmë e më pas është vendosur në takim me ndërmjetësuesit që rundi i radhës i diskutimeve të mbahet më 4 prill.
“Mjafton të them se nga pala tjetër nuk ka pasur asnjë mund që ajo letër të mund të quhej propozim që shkon në drejtim të një marrëveshje kompromisi. E kjo është ajo që më brengos shumë. Nuk e di në cilin drejtim po shkon dialogu. Më brengos e ardhmja e popullit serb në Kosovë e M, kur e sheh se pala tjetër s’ka vullnet politik për të arritur deri te një zgjidhje”, tha Petkoviq.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë të diskutojnë deri “në atomin e fundit të energjisë” për të arritur një dakordim.
“Pas tri orë e gjysmë diskutime direkte me palën e Prishtinës, ku kemi folur për propozimet, më pas pati edhe diskutime biletarale me BE-në, e dakordimi është që të vazhdojmë të bisedojmë në Bruksel më 4 prill”, tha Petkoviq.
Ai ka thënë se “BE-ja ose s’po mundet ose s’ka vullnet për të gjetur zgjidhje”.
Gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet.
Ende nuk ka prononcime për media dhe nuk dihet nëse ka pasur pajtim për çështjen e dinarit.
Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.
Autor: Augustin Palokaj
(I përditësuar 14:20) - Takimet për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar, janë duke vazhduar në Bruksel, ku Kosova është duke u përfaqësuar nga kryenegociatori i saj, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga Petar Petkoviq.
Pas një takimi tre palësh mes Bislimi dhe Petkoviqit, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, herët në mëngjes, tani do të ketë takim ndaras mes palëve.
Një takim ndaras mes Bislimit dhe Lajçakut ka filluar tashmë dhe pritet të pasohet nga një takim mes Petkoviqit dhe ndërmjetësuesit evropian, para një takimi tjetër trepalësh më vonë gjatë ditës.
Takimet e sotme janë vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.
Ata pritet t’i diskutojnë propozimet e secilës palë gjatë këtyre takimeve të sotme.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend. /REL
Nis takimi mes Bislimit, Lajçakut e Petkoviqit
Ka nisur takimi midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, atij të Serbisë, Petar Petkoviq dhe të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel.
Në këtë takim trepalësh pritet të diskutohen ide se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër për çështjen e dinarit.
Paraprakisht është marrë vesh që palët të ofrojnë propozime teknike deri më 22 mars, në mënyrë që të trajtohen në takimin e së hënës.
Bislimi e Petkoviqi sot takohen në Bruksel
Kryenegociatori i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi do të takohet të hënën me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq në Bruksel, ku do të diskutohen ide konkrete se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër lidhur me çështjen e dinarit.
Bislimi dhe Petkoviq ishin dakorduar që të ofrojnë propozime teknike deri me datë 22 mars, të tilla që pastaj do trajtohen tutje në një takim e sotëm.
Qeveria theksoi se Republika e Kosovës e ka bërë të qartë që do ofrojë zgjidhje teknike sipas planit që ajo u ka ofruar edhe shteteve të QUINT-it javë më parë.
Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë bërë të ditur nëse kanë dërguar propozimet për dinarin, afati për të cilat ka qenë deri më 22 mars.
Mirëpo, kryeministri Albin Kurti, ka thënë të premten se Rregullorja e BQK-së është e panegociueshme dhe se nuk do të pranojnë propozime që bien ndesh me të njëjtën./ksp