Dialogu

S’ka marrëveshje në Bruksel

Bruksel

(18:20) - Përfaqësuesit në dialog s’kanë arritur të enjten marrëveshje mbi çështjen e dinarit, e një takim i radhës është paraparë të mbahet më 13 maj në Bruksel.

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka thënë se Beogradi po insiston në gjetjen e një zgjidhjeje, e sipas tij, diskutimet me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ishin “të vështira dhe të tensionuara”.


Nis takimi trepalësh në Bruksel

(13:00) - Ka nisur takimi trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kësaj radhe nuk ka pasur takime bilaterale. 


(08:11) - Sot takimi i radhës për dinarin

Të enjten në Bruksel do të mbahet takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nën udhëheqjen e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Temë kryesore e takimit do të jetë çështja e dinarit.

Lajçak të martën ka thënë se është duke punuar për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Në një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës, Lajçak ka thënë se në takimet e fundit me kryenegociatorët kanë arritur që ta ngushtojnë hendekun lidhur me këtë temë. 

Edhe pas pesë takimesh ku është diskutuar çështja e dinarit, nuk është arritur marrëveshje.