Që nga fundi i nëntorit ende nuk është vendosur lidhur me policët që nuk morën asnjë masë pasi qëndruan duke e vëzhguar personin e panjohur tek fshinte grafitin e ushtarëve serbë të luftës së Koshares. Policia, që është duke kryer hetim disiplinor, dyshon për neglizhencë, meqë gjashtë pjesëtarë të saj nuk e legjitimuan personin në vendngjarje dhe nuk çuan informatë tek eprorët e tyre
Grafiti që glorifikon ushtarët serbë në betejën e Koshares u mbulua me të zezë më 28 Nëntor të vitit të kaluar, nga persona ende të paidentifikuar.
E pasi Aleksandar Arsenijeviqi, kryetar i subjektit politik Demokracia Serbe, u ankua, gjashtë policë u suspenduan për neglizhencë në detyrë për periudhën 72-orëshe, për shkak se dyshohet se ishin në vendngjarje dhe nuk i legjitimuan personat që mbuluan grafitin.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin Mitrovicë-Veri, Veton Elshani, thotë se Drejtoria për Standarde në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë nuk ka vendosur ende për rastin.
“Rasti nuk është përmbyllur ende. Suspendimi i atyre gjashtë policëve nuk është bërë, sepse është shkarravitur një figurë e dikujt që ka qenë apo nuk ka qenë në luftë – s’është me rëndësi ajo, por për shkak të neglizhencës”, ka thënë Elshani.
Ai tregon se Policia nuk po e trajton aspektin e përmbajtjes së mesazhit që është mbuluar, por faktin që policët ishin në detyrë dhe nuk mblodhën informacione e as nuk njoftuan eprorët e tyre.
“Sheshi ‘Car Lazar’ duhet të mbikëqyret nga policët. Për atë punë janë aty. E kur dikush vjen aty, pa marrë parasysh se kush vjen dhe nis të shkruajë diçka, të vizatojë a të bëjë diçka dhe policët janë aty, duhet të shkojnë ta pyesin njeriun se kush është ai. E pasi të shkojnë për ta pyetur, atëherë varet nga policët, ata e kanë për detyrë, për obligim, t’i pyesin eprorët e tyre se si të veprojnë tutje. Ndoshta ne do t’i thoshim ndalja punën ose lejoje”, ka thënë Elshani.
Në veri të Kosovës ka mure me imazhe ku glorifikohet lufta e ushtrisë serbe në Kosovë.
Arsenijeviqi në videon ku i xhiroi policët e Kosovës pretendoi se jo mesazhi, por fshirja e tij është nxitje e përçarjes.
Imazhi i forcave serbe që luftuan kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është mbuluar me të zezë dhe rreth saj janë shkruar fjalët në anglisht që e kanë domethënien “paqe e jo luftë”.
E vetëm pak metra larg saj ndodhet grafiti i Brigadës së Veriut, organizatë që është zyrtarisht terroriste në Kosovë që nga 23 qershori i 2023-tës.