Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pance Toshkovsi, ka deklaruar se polici i cili ka hedhur nga shtiza flamurin kombëtar shqiptar në Kumanovë më 28 nëntor, nuk ka bërë shkelje, sipas hetimeve.
“Një hetim është hapur nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm. Në kuadër të veprimeve hetuese – nuk është konstatuar se ka bërë shkelje të një procedure në MPB. Me këtë mbyllet procedura për zyrtarin policor”, ka deklaruar ai, raporton “Zhurnal.mk”.
Pas deklaratës, ka reaguar opozita shqiptare në Maqedoni. Bashkimi Demokratik për Integrim ka thënë se ky është vendim skandaloz.
“Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për të mbyllur rastin e policit që poshtëroi Flamurin Kombëtar Shqiptar pa asnjë përgjegjësi apo masë ndëshkuese është një akt i turpshëm dhe një shenjë e qartë e legalizimit të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ky veprim tregon dështimin total të institucioneve për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve dhe për të garantuar respektimin e të drejtave themelore. Përgjegjësia për këtë situatë nuk mbetet vetëm tek hakmareja etnike apo tek ministri Pançe Toçkovski, por edhe tek përfaqësuesit shqiptarë brenda qeverisë, të cilët me manipulimet e tyre të vazhdueshme dhe premtimet e rreme kanë tradhtuar interesat e shqiptarëve. Zëvendësministri dhe përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur nga VMRO-DPMNE , që sot janë pjesë e kësaj qeverie kanë treguar paaftësi totale për të përfaqësuar dhe mbrojtur komunitetin e tyre, duke u bërë garantues të padrejtësisë dhe diskriminimit”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Sipas BDI-së, heshtja ndaj këtij veprimi është “tradhti ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve”.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti nga partitë shqiptare në koalicionin qeverisës pati thënë javë më parë se do të kërkojnë masa disiplinore e “s’do të ketë kompromis, për këdo që shkel ligjin”.
Më 28 nëntor ishte incizuar një polic duke larguar flamurin kombëtar nga një shtyllë në një rrugë në Kumanovë. Ai qëndronte mbi kombibusin zyrtar të Policisë teksa e largonte flamurin kombëtar shqiptar.