Arbëri

S’jepen informata mbi aspektet teknike për zbatimin e marrëveshjes për targat

Edhe 13 orë kanë mbetur prej kur duhet të nisë zbatimi i marrëveshjes për targat, e mbërritur një ditë më parë mes Kosovës dhe Serbisë. Grupe profesionale kanë pasur për detyrë që gjatë së premtes t’i detajojnë pjesët e targave që do të mbulohen me tiketë ngjitëse, e edhe aspekte të tjera, përfshirë sanksionet për ata që i heqin tiketat. Në Qeveri nuk kanë treguar për rezultatet e diskutimeve të sotme, ndërkaq NATO-ja ka garantuar implementim efikas të marrëveshjes, konform rolit që i përshkruhet në këtë dokument.

Nga mëngjesi i së shtunës është paraparë të nisë zbatimi i marrëveshjes për targat, e arritur një ditë më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, në Qeveri nuk treguan nëse i kanë finalizuar me Brukselin aspektet teknike që lidhen me veprimet që duhet ndërmarrë në terren.

Grupe profesionale ishte paraparë ta nisnin punën të premten, për t’i detajuar pjesët e targave që do të mbulohen dhe aspekte të tjera që lidhen me zbatimin e marrëveshjes, përfshirë sanksionet për ata që i heqin afishet e vendosura në targa.

“Nesër grupi nga Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë takime virtuale me zyrën e Z. Lajçak për ta detajuar operacionalizimin e kësaj mase, për të treguar se si do të duken stickersat, çka mbulohet saktësisht, a duhet të ketë kosto për implementimin, çfarë sanksionesh duhet të ketë në rast se hasen persona të cilët afishet e vendosura në kufi pastaj i kanë larguar nga veturat e tyre, pastaj do të diskutohen detajet e operacionalizimit”, paralajmëroi një ditë më parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në një intervistë për KOHËN.

Gjatë ditës, në Zyrën e Kryeministrit dhe as në kabinetin e ministrit të Punëve të Brendshme nuk kanë ofruar informata mbi dakordimin potencial rreth detajeve për të cilat kishte folur Bislimi.

E KFOR-i, të cilit i është përshkruar rol në zbatim të marrëveshjes për targat, ka ofruar garancitë për implementim efikas të këtij dokumenti.

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i ka përcjellë gjatë ditës detajet e marrëveshjes te sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

NATO-ja, nëpërmjet një komunikate shtypi, ka ofruar informacione mbi garancitë e dhëna për zbatimin e marrëveshjes.

“Misioni ynë i KFOR-it luan rol kyç për sigurimin e implementimit efikas të kësaj marrëveshjeje dhe NATO-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar për stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është cituar sekretari Stoltenberg.

Sipas njoftimit, Stoltenbergu është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e dy shteteve për nevojën për shtensionim, përmbajtje e kthim në dialog.

“NATO-ja përkrah fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe çdo përpjekje tjetër me synim normalizimin e raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës, si rrugën e vetme që çon në një marrëveshje të qëndrueshme politike dhe stabilitet për rajonin”, thuhet në njoftim. “Stoltenbergu ka lavdëruar bashkëpunimin NATO-BE për Kosovën si shembull i shkëlqyeshëm i partneritetit strategjik në mes të dy organizatave”.

Situata në veri përshkallëzoi 12 ditë më parë, prej kur serbët e veriut i mbajnë të bllokuara rrugët për në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për reciprocitet në targa, për zbatimin e të cilit janë angazhuar edhe njësitë speciale të Policisë.

E, marrëveshja e një dite më parë kërkon që forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë të vendosura nga serbët, ndërsa aty do të vendoset KFOR-i.