Banorët e fshatit Shipashnicë e Poshtme në komunën e Kamenicës kanë bllokuar derën e hyrjes së një shkolle me qëllim për mos t’i lënë zyrtarët komunalë që të vendosin brenda kësaj shkolle inventarin për fëmijët parashkollorë, që është pjesë e reformave në arsim të premtuara nga kryetari Qëndron Kastrati.
Kjo ka bërë që të ketë situatë të tensionuar midis këtyre banorëve dhe policisë, pasi zyrtarët komunalë ia dolën të largohen. Policia u detyrua të përdor sprej për ta futur në kontroll situatën.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili shtoi se spreji është përdorur pasi rreth 50 banorë të fshatit sulmuan zyrtarët komunalë.
“Ju njoftojmë se më 23 maj 2021 te shkolla fillore në fshatin Shipashnicë e Poshtme, komuna Kamenicë, banorët e fshatit e kanë bllokuar derën e hyrjes së shkollës me qëllim për mos t’i lënë zyrtarët komunalë që të vendosin brenda kësaj shkolle inventarin për fëmijët parashkollorë. Në vendin e ngjarjes janë tri patrulla policore të PK-së, mirëpo situata paraqitet e tensionuar. Aty janë mbledhur rreth 50 banorë të fshatit në shenjë pakënaqësie ku me këtë rast janë sulmuar zyrtarët komunalë. Për ta futur situatën nën kontroll është përdorur edhe spreji nga ana e zyrtarëve policorë. Për ngjarjet në vazhdim ju njoftojmë me kohë”, ka thënë ai.
Ndërkohë rreth këtij incidenti ka reaguar edhe u.d. i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili e fajësoi Qeverinë Kurti, për siç pretendon ai, po përdor nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Kamenicës si fushëbetejë për inate e ego të sëmura pushteti.
“Sot Policia atje paska përdorë sprej ndaj banorëve që po mbrojnë shkollën nga mbyllja. Në vend që kryeministri e ministrja e Arsimit të ulen me kryetarin e komunës e të gjejnë zgjidhje për hapjen e shkollave në Kamenicë, ata po i përdorin nxënësit për të krijuar drama para zgjedhjeve lokale. Nxënësit duhet të kthehen në shkolla, ndërsa Qeveria e Komuna duhet t’u ofrojnë kushte sa më të mira”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.