Hulumtimi ka shpërfaqur problemin e të rinjve me definimin e dhunës ndaj grave. Bazuar në anketat e realizuara nga Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, dhunë nuk shihet as sjellja kontrolluese e mashkullit ndaj partneres femër
Të rinjtë në Kosovë e definojnë dhunë ndaj grave, vetëm atë fizike, ka treguar një hulumtim i publikuar të premten nga Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime (SIT).
Elma Berisha, e cila i ka prezantuar gjetjet, ka thënë se dhunë nuk shihet as sjellja kontrolluese e mashkullit ndaj partneres femër.
“Një numër i madh i mostrës mendon se është në rregull që të kufizohet ferma, liria e saj e shprehjes, qoftë në përdorimin e mjeteve të ndryshme teknologjike, qoftë në takime shoqërore e familjare. Ngacmimi i partneres në mënyra të ndryshme, bërja e saj për t’u ndier keq, të gjitha këto fatkeqësisht dështojnë që të shihen si forma të dhunës në baza gjinore. Këto përqindje janë shumë të larta e alarmuese”, ka theksuar Berisha.
E Kadri Gashi, i cili është drejtor i organizatës që e ka publikuar hulumtimin, e ka shtruar nevojën për reflektim.
“Nevoja për të angazhuar burra dhe djem në përpjekjet për të parandaluar dhunën, njëkohësisht edhe duke promovuar e shëndoshë, ka marrë një vëmendje të madhe në këto dekadat e fundit”, ka thënë ai.
Gjetjet e raportit “Dhuna me bazë gjinore përmes këndvështrimit të gjeneratës Z”, janë bazuar në anketat e realizuara me më shumë se 100 të rinj, të moshës nga 15 deri në 27 vjeç.