Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, që të martën tha se Prokuroria po e lufton Qeverinë. Këto institucione thanë se deklarimet përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime që ka ai për sundimin e ligjit, derisa shtuan se deklaratat e tilla dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve. Këto institucione thanë se ligji s’mund të zbatohet dhe interpretohet “sipas shijeve të kryeministrit”.
Autoritetet e drejtësisë thanë se pa marrë parasysh nga përpjekjet e Kurtit për t'i degraduar organet kushtetuese, KPK-ja dhe Prokurori i Shtetit inkurajojnë dhe mbështesin fuqishëm Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive.
“Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe Kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit. KPK dhe ZKPSH, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e publikuar në Facebook.
Kurti ishte urdhëruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të shkonte në cilësinë e dëshmitarit në Prokurorinë Speciale, por zgjodhi të shkonte në vënien e gurthemelit të një çerdheje në Gjilan.
Ai është shprehur se nuk refuzon dhënien e dëshmisë, por këtë tha se do ta bëjë kur prokurorët t'i shkojnë në zyrën e tij.