Për shkak të problemeve teknike, prej së martës është jashtë funksionit platforma elektronike e prokurimit. Në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik premtojnë kthimin në funksion të sistemit gjatë fundjavës. Monitoruesit e këtij procesi thonë se rënia nga sistemi e uebfaqes paralizon tërë aktivitetet tenderuese
Sistemi elektronik nëpërmjet të cilit zhvillohet procesi i prokurimit publik në Kosovë është jashtë funksionit prej katër ditësh. Në uebfaqen e platformës E-Prokurimi, në të cilën bëhet shpallja e tenderëve, dorëzimi i ofertave, vlerësimi dhe njoftimi i përfituesve, prej së martës shfaqet vetëm njoftimi se sistemi i prokurimit elektronik është jashtë shërbimit.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik që e menaxhon këtë platformë, një ditë më parë njoftoi se arsyet e problemeve janë të natyrës teknike. Në një përgjigje për KOHËN, në këtë institucion thanë se sistemi pritet të kthehet në funksion gjatë vikendit.
“Meqenëse problemi ka të bëjë me natyrë teknike dhe meqenëse është sistem kompleks, atëherë rregullimi kërkon kujdes dhe kohën të caktuar. Për raste të tilla apo për çfarëdo vonese dhe vështirësie që u është shkaktuar OE dhe AK, KRPP paraprakisht ka paraparë skenarë të tillë dhe në kuadër të legjislacionit dytësor ka përfshirë rregulla dhe udhëzime për OE dhe AK se si duhet vepruar, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësi e të gjitha proceseve të ndërlidhura me aktivitete të prokurimit. Pra në raste të tilla do të ketë vetëm një zhvendosje në kohë të proceseve të ndërlidhura me aktivitete të prokurimit dhe jo për ndonjë dëmtim të OE dhe AK”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.
Ardit Dragusha, hulumtues në organizatën “Demokraci Plus”, që bën monitorimin e prokurimit publik theksoi se rënia e sistemit elektronik sjell implikime në tërë aktivitetet e prokurimit.
“Prej vitit 2019 i gjithë prokurimi, të gjithë tenderët ngarkohen në këtë platformë elektronike, pra secili hap i prokurimit publik është paralizuar. Aktualisht i gjithë sistemi i këtij procesi të prokurimit publik, pra do me thanë është blloku. Jemi duke folur për lidhjen e kontratave të reja, hapjen e njoftimeve për kontratë, pra hapjen e kontratave të reja, ngarkimin e ofertave si dhe dorëzimin e ankesave të cilat kanë qenë për aktivitete të prokurimit të cilat veçse kanë qenë duke vazhduar. Pra, i gjithë sistemi është i bllokuar”, ka thënë Dragusha.
Dragusha nënvizon se në këtë situatë, institucionet nuk mund të lidhin as kontrata emergjente, andaj thotë se ka qenë i domosdoshëm një njoftim paraprak nga KRPP.
“Këto intervenime kanë qenë teknike dhe kanë qenë si pasojë e performancës së dobët të disa prej elementeve brenda platformës, pra kanë qenë punë e planifikume, megjithatë nuk ka pasur njoftim paraprak, pra këto, kjo është çështje pak a shumë që nuk kanë pasur njohuri as autoritetet kontraktuese, dhe as operatorët ekonomikë si dhe opinioni publik”, ka thënë Dragusha.
Shqetësime për rënien e sistemit të platformës elektronike kanë shprehur edhe në Institutin Demokratik të Kosovës. Përmes një reagimi në këtë institut i kanë kërkuar Qeverisë t’i kushtojë vëmendje të shtuar infrastrukturës kritike digjitale, duke garantuar qëndrueshmëri dhe funksionalitet të sistemit të e-Prokurimit.
“Ky problem thekson nevojën që sistemet digjitale kritike të trajtohen me prioritet të lartë në nivel shtetëror, për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm, sigurinë kibernetike dhe mbështetjen e duhur teknike. Përkundër mbështetjes financiare për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e platformës, sfidë e vazhdueshme mbetet mungesa e burimeve njerëzore të specializuara në fushën e teknologjisë së informacionit (TI) brenda KRPP-së. Pagat jokompetitive dhe vështirësitë në rekrutimin dhe mbajtjen e ekspertëve të TI-së kanë ndikuar që kapacitetet teknike të institucionit të mbeten të kufizuara, duke rrezikuar mirëmbajtjen dhe zhvillimin afatgjatë të sistemit”, thuhet në reagim.
KDI i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërmarrë masa për të fuqizuar kapacitetet profesionale të TI-së brenda institucioneve kyçe, përfshirë përmirësimin e kushteve dhe politikave të rekrutimit për ekspertë të fushës.
Një muaj më parë, ngjashëm si në KRPP, jashtë funksionit doli disa herë edhe uebfaqja e Komisionit Qendror Zgjedhor, autoritetet përgjegjëse të së cilës ende nuk i kanë zbardhur shkaqet.